Tahiri thirrje Kurtit, të blejë pataten e Vushtrrisë për nevoja të rezervës

Tahiri thirrje Kurtit, të blejë pataten e Vushtrrisë për nevoja të rezervës

Kryetari i komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se gjendja me pandeminë Covid-19 në komunën që ai drejton është duke u menaxhuar shumë mirë.

Ndonëse, dje vdiq një grua 71 vjeçare nga ky rajon dhe u paraqit një rast i ri me Covid-19, Tahiri u shpreh për Kp se kanë marrë gjitha masat e duhura të gjurmimit për të pasur në kontroll dhe parandaluar përhapjen e virusit korona.

I pari i komunës së Vushtrrisë u shpreh i kënaqur sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse niveli qendror.

“Dua të them që deri më tani sa i përket furnizimit me mjete mbrojtëse personale jemi furnizuar tri herë nga Ministria e Shëndetësisë. Ne po ashtu kemi përdorë mjetet tona vet anakë të komunës”, thotë ai.

Duke folur për respektimin e kufizimit të lëvizjes, Tahiri tha se shumica absolute e qytetarëve vushtriasë janë duke zbatuar vendimin e ri të qeverisë.

Ai tregoi edhe për zbatimin e masave të reja.

“Ne kemi pasur inicim të rasteve kurdo që është konstatuar se janë thyer rregullat ose ka pas kundërshtim të udhëzimeve shëndetësore të Ministrisë së Shëndetësisë…shumica absolute në masën 98 për qind të qytetarëve të Vushtrrisë janë treguar mirëkuptues për masat që i kemi marrë deri më tani. Janë respektuar nga qytetarët, marketet dhe bizneset tjera në Vushtrri”, u shpreh ai.

Krahas kësaj, kryetari Tahiri bëri thirrje që sa më shpejt të funksionalizohet pako emergjente e ekzekutivit.

Sipas tij, ekonomia vushtriase tashmë është dëmtuar. Për këtë i bëri thirrje kryeministrit në detyrë, Albin Kurti që të blejë pataten e këtij qyteti për nevoja të rezervës shtetërore.

“Tani komuna e Vushtrrisë i lëshon leje për bujqit. Unë dua t’i ftoj bujqit të vazhdojnë të punojnë tokën. Është shumë me rendësi që mos të kemi asnjë pëllëmbë toke të punueshme të papunuar. Do të na duhet deri në kilogramin e fundit të produkteve bujqësore që i kemi pas koronavirusit. Pasi të kalojë pandemia. Për këtë i ftoj buqit e Vushtrrisë të vazhdojnë të punojnë….unë e kam ftuar kryeministrin që t’i blej patatet e Vushtrrisë për nevojat e rezervat shtetërore”, tha ai.

Tahiri mes tjerash, u shpreh i kënaqur me pjesëmarrjen e nxënësve të komunës që udhëheq në mësimin online që e ka organizuar Ministria e Arsimit.

Deri më tani në komunën e Vushtrrisë nga 137 testime për koronavirus 24 prej tyre kanë rezultuar pozitiv, derisa pesë prej tyre janë shëruar.