Papa Françesku e ka thyer heshtjen për trazirat në Shtetet e Bashkuara, duke thënë se askush nuk mund t’i mbyllë sytë para racizmit dhe përjashtimit.

Papa Françesku përveç se ka dënuar racizmin dhe përjashtimin, ai po ashtu e ka dënuar dhunën në protestat e SHBA-së, duke e përshkruar atë si vetëshkatërruese dhe vetëmposhtëse.

Papa ia kushtoi tërë fjalimin në gjuhën angleze situatës në Shtetet e Bashkuara dhe iu lut Zotit për paqe dhe pajtim kombëtar.

Ai tha se vdekja e afrikano-amerikanit, Geoerge Floyd është tragjike dhe se është duke u lutur për të dhe për të gjithë që janë vrarë si rezultat i mëkatit të racizmit, transmeton rtv21.tv.

Megjithatë ai ka deklaruar se asgjë nuk mund të fitohet nga dhuna, dhe shumë gjëra mund të humben.

Është shumë e rrallë që Papa përmend një person specifik, megjithatë një zëdhënës nga Vatikani tha se ky ishte një apel i veçantë.

George Floyd vdiq më 25 maj pasi një polic amerikan ia mbajti për disa minuta gjurin mbi qafë. Para se ta humbte vetëdijen, viktima disa herë kishte kërkuar ndihmë dhe kishte thënë se nuk po mund të marrë frymë./21Media