Nesër do të zhvillohet ndeshja e javës së 25-të në Superligën e Kosovës në futboll, ndërmjet Feronikelit dhe Llapit.

Kjo ndeshje do të luhet në stadiumin “Rexhep Rexhepi” në Drenas, dhe vendasit me anë të një komunikatë për media kërkojmë mirëkuptimin që tifozët të mos shkojnë në stadium.

Të nderuar përkrahës të FC Feronikelit, Të dielën vazhdojmë me javën e 25-të të IPKO Superligës së Kosovës, në takimin që zhvillohet ndaj skuadrës së Llapit, në stadiumin “Rexhep Rexhepi”, në Drenas. Kërkojmë mirëkuptimin tuaj, që ndeshjen ta përcjellni përmes transmetimit në TV, ku të drejtën ekskluzive për transmetim e ka SuperSport. Me mirëkuptimin më të madh ju kërkojmë që të mos vini në stadium, pasi që është një listë tejet e vogël e personave që lejohet të jenë brenda stadiumit (kryesia dhe persona që merren me organizimin e ndeshjes). Në mënyrë që të mos krijojmë tollovi dhe në të njëjtën kohë edhe pakënaqësi te dyert e stadiumit, ju lusim edhe njëherë për përkrahje nga larg. Ka ardhur koha ta dëshmoni që e doni klubin, duke mos i nxjerrë telashe të tilla klubit. Në asnjë rrethanë tjetër nuk do të kërkonim një gjë të tillë, por këto janë urdhërat që i kemi nga Ministria e Shëndetësisë, IKSHPK dhe FFK-ja, shkaku i pandemisë. Kurse, personat nga kryesitë e të dyja klubeve që do të jenë në listë, OBLIGOHEN, të jenë të pajisur me maska. Personat që nuk janë në listë, nuk do të lejohen të futen në stadium”, thuhet ndër tjerash në komunikatën e Niklit.