Gjykata Themlore në Gjilan ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh, ndaj zyrtarit policor me inicialet R.SH, i cili dyshohet se e ka sulmuar seksualisht një vajzë të mitur me aftësi të kufizuara mendore.

”Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri nga muaji nëntor 2020 e deri me datë 20.04.2021, është takuar disa herë me të dëmtuarën e mitur, e cila është person me aftësi të kufizuara mendore, me ç’rast i pandehuri dyshohet se ka ushtruar sulm seksual ndaj saj, rrethana ,këto të mjaftueshme për të cilat gjykata konsideron se tregojnë rrezikun potencial se poqëse i njëjti lihet në liri ai mund ta përsërisë veprën penale apo të kryej edhe ndonjë vepër tjetër penale me pasoja edhe më të rënda”, është bërë e ditur në komunikatë.

Me këto veprime i pandehuri R.SH, dyshohet se ka kryer veprën penale, ”sulm seksual”.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, ka vlerësuar se qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që masat tjera alternative në këtë fazë të procedurës do të ishin të pamjaftueshme./21Media