Të pandehurit me inicialet A. L iu është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh nga Gjykata Themelore në Prizren për shkak se i njëjti dyshohet për dhunë në familje. Ai përveç grushtave në drejtim të babait dhe vëllait edhe i kishte kafshuar ata.

Sipas gjykatës i pandehuri A.L., me datë 20 prill, në orët e hershme të mëngjesit, në Prizren, në banesën e përbashkët familjare, me dashje kryen dhunën ose keqtrajtimin fizik, me qëllim të cenimit të dinjitetit të të dëmtuarve brenda një marrëdhënie familjare, ndaj të dëmtuarve respektivisht babait dhe vëllait të tij, në atë mënyrë pas një mosmarrëveshje paraprake pasi që të dëmtuarit tentojnë t’i japin terapinë mjekësore të pandehurit, në atë moment i pandehuri në mënyrë agresive dhe me zë të larët i drejtohet të pandehurve, më pastaj edhe i sulmon fizikisht të dëmtuarit duke i goditur me grushte si dhe duke i kafshuar me dhëmbë, me të cilat veprime tek të dëmtuarit ka shkaktuar ndjenjën e frikës dhe të shqetësimit

Gjyqtari i procedurës, Fatmir Krasniqi përmes një komunikate për media, ka njoftuar se për argumentimin e këtyre fakteve do të vlerësohet në fazat e mëtejme të procedurës penale.

Gjyqtari i procedurës, gjithashtu ka lëshuar urdhëresë për ekzaminim psikiatrik të të pandehurit.

“ Instituti adekuat, duhet të vërtetojë faktin se i pandehuri A.L., a ka qenë në gjendje të kuptoj natyrën dhe rëndësinë apo pasojën e veprimeve në kohën e kryerjes së veprës penale, dhe të konstatohet se në çfarë gjendje psikike mendore ka qenë gjatë kësaj kohe, si dhe të konstatohet se në kohën e kryerjes së veprës penale aftësia e tij mendore a ka qenë e zvogëluar”, thuhet në komunikatë.

Me rastin e caktimit të paraburgimit, gjyqtari ka vlerësuar peshën e veprën penale dhe rrethana tjera sikurse faktin që i pandehuri A.L., me të dëmtuari jetojnë në ambient të përbashkët, dhe me lënien në liri të të pandehurit ekziston rreziku i përsëritjes së veprës penale, si dhe duke u nisur nga fakti se i pandehuri është recidivist i veprës së tillë penale, caktimi i paraburgimit është më se i arsyeshëm dhe i domosdoshëm në këtë fazë./21Media