Arrestohet pronari i firmës

Arrestohet pronari i firmës

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditë vozitësit të kamionit me inicialet M. A.

“Ekziston dyshimi i bazuar se me 7 mars 2019, në ora 14:05 minuta, i dyshuari M. A., ka shkaktuar aksident të rëndë komunikacioni, nga i cili aksident një person për shkak të lëndimeve ka ndërruar jetë, ndërsa 26 të tjerë kanë pësuar lëndime trupore”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore.

Gjykata tha se dyshohet që nga problemet teknike që ka pasur kamioni të cilin e ngiste, ka ardhur deri tek aksidenti.

Sipas vendimit të gjykatës, me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale rrezikim i trafikut publik, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që po të caktohej ndonjë masë më e butë, i pandehuri mund të ndikonte tek dëshmitarët.

Ndërkaq, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës, bëhet e ditur se është arrestuar edhe pronari i firmës.

“Në rrugën “Idriz Seferi”, Sheshi “Rexhep Mala, Nuhi Berisha”, Gjilan, lidhur me aksidentin e ndodhur në Gjilan është arrestuar i dyshuari mashkull K/Shqiptar, pronar i firmës së cilës i përkiste kamioni i përfshirë në aksident, me dyshimin se automjetit transportues nuk i ka punuar sistemi i frenimit dhe i njëjti nuk është i regjistruar dhe nuk posedon kontroll teknike. I dyshuari pas intervistimit me vendimin e prokurorit, dërgohet në qendrën e mbajtjes”, thuhet në njoftim.

Në këtë aksident humbi jetën një person dhe 27 të tjerë mbetën të lënduar./21Media