Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti këtë të premte ka pritur rektorët e universiteteve publike në vend. Shefi i ekzekutivit, këtë takim e konsideroi frytdhënës, derisa paralajmëroi ndryshime ligjore në arsimin e lartë për t’i përshtatur tregut të punës.

Hoti në një konferencë të përbashkët për medie me rektorët tha se nën mandatin e tij universitetet do të kenë më shumë pavarësi.

“Duke filluar nga ndryshimet e nevojshme ligjore që duhet të ndodhin në arsimin e lartë për të përgatitur këto institucione për nevojat e tregut të punës në Kosovë. I njoftova rektorët për orientimin tonë për orientimin tonë për themelimin e fondit të përsosmërisë. Për të financuar individ dhe programe të ndryshme në këto universitete që tregojnë cilësi të lartë dhe konkurrencën në treg. Veçanti për studimet e doktoratës. U dakorduam po ashtu për nevojën që të punojmë së bashku për të profilizu universitet publike gjithmonë në përputhje me standardet e cilësisë dhe nevojës së tregut të punës”, tha ai.

Rektori i Universitetit të Prishtinës, Marjan Demaj tha se janë pajtuar me kryeministrin për ndryshime pozitive në arsimin e lartë.

“U dakorduam për shumë veprime, për shumë ndryshime pozitive që duhet të ndodhin në arsimin e lartë. Të gjithë ishim të një mendimi që sëbashku ato ndryshime pozitive mund t’i bëjmë realitet”, tha ai.

Ndërsa, kryetari i konferencës së rektorëve, Bajram Kosumi e vlerësoi qasjen e kryeministrit Hoti për arsimin e lartë.

“Ne sot biseduam për politikat kryesore të qeverisë në arsimin e lartë. Është një qasje shumë pozitive të flasësh me përgjegjësit kryesor për arsimim e lartë që janë universitetet publike dhe rektorët e universiteteve”, tha ai./kp