Paralajmërohet për sëmundje derisa rritet numri i të vdekurve nga përmbytjet në Pakistan

U paralajmërua se mungesa e ujit të pastër po shkakton rritje të sëmundjeve në Pakistan, pasi numri i të vdekurve nga përmbytjet shkatërruese kaloi 1200.
Qasja në ujë të pastër ishte problemi më i madh për ata që përpiqeshin të gjenin ushqim dhe strehim, tha organizata bamirëse mjekësore, Medecins Sans Frontieres.
Qeveria u mblodh të shtunën për të vlerësuar shkallën e përmbytjeve që kanë zhytur një të tretën e vendit.
Të paktën një në tri nga viktimat e përmbytjeve thuhet se janë fëmijë.
Ministri i qeverisë, Ahsan Ikbal tha se vendi nuk ka burime për t’u marrë me krizën e paprecedentë.
“Përmbytjet ishin fatkeqësia më e keqe e shkaktuar nga klima në historinë e fundit botërore”, tha ai.
Rreth 1.4 milionë shtëpi u shkatërruan nga shirat rekord të musonit që kanë prekur më shumë se 33 milionë njerëz.
Zyrtari më i lartë i menaxhimit të fatkeqësive të vendit tha se viti 2022 kishte sjellë disa realitete të ashpra të ndryshimit të klimës për Pakistanin.
“Këtë vit nuk dëshmuam një sezon pranvere – u përballëm me katër valë të nxehtit që shkaktuan zjarre në shkallë të gjerë pyjore në të gjithë vendin”, tha Akhtar Nawaz.
Ndërkohë, agjencia e OKB-së për fëmijë, Unicef ​​tha se më shumë fëmijë rrezikohen të vdesin nga sëmundjet në Pakistan për shkak të mungesës së ujit të pastër.
“Tani ekziston një rrezik i lartë i përhapjes së shpejtë të sëmundjeve vdekjeprurëse të shkaktuara nga uji, diarreja, kolera, dengoja, malaria”, tha Abdullah Fadil nga Unicef.
Vlerësimet sugjerojnë se përmbytjet kanë shkaktuar të paktën 10 miliardë dollarë (8.5 miliardë £) dëme në Pakistan dhe shumë njerëz përballen me mungesa serioze ushqimore. Gati gjysma e të korrave të vendit janë shkatërruar.
Vendi po vuante tashmë nga një krizë ekonomike.
Shumë faktorë kontribuojnë në përmbytjet, por një atmosferë ngrohëse e shkaktuar nga ndryshimet klimatike i bën më të mundshme reshjet ekstreme, shkruan BBC./21Media
|m1\-w|m3ga|m5

Back to top button