Zëvendësguvernatori i BQK-së për Mbikëqyrje Financiare, Sokol Havolli dhe kryetari i Autoritetit Kosovar të Konkurrencës, Valon Prestreshi prezantuan para mediave masat e ndërmarra lidhur me modelin e ri që do të aplikohet me kostimin e sigurimit të detyrueshëm.

Havolli përmendi një numër reformash të ndërmarra nga Banka Qendrore e Republikës së Kosovës me qëllim të përmirësimit të gjendjes në këtë sektor pasi ai vazhdon të mbetet i pazhvilluar mjaftueshëm, është koncentruar në produkte të sigurimit të detyrueshëm (autopërgjegjësi), si dhe është ballafaquar me mospërmbushje të kushteve, të cilat ndërlidhen me kërkesat rregullatore për kapitalizim dhe provizionim.

Problemet në këtë industri, sipas tij kanë bërë që performanca e këtij sektori të jetë e brishtë, duke reflektuar edhe në aftësinë e sektorit për të kryer detyrimet ndaj të siguruarve.

“Rezultatet e reformave të ndërmarra nga BQK-ja kanë sjellë një reagim mjaft pozitiv dhe intensiv nga industria e sigurimeve. Gjatë kësaj periudhe, mbi 11 milionë euro kapital janë shtuar nga aksionarët e kompanive të sigurimit për të plotësuar nevojat e kapitalit dhe provizionimit në kompanitë e tyre. Gjatë javës së fundit të këtij muaji po ashtu presim të shtohen edhe të paktën 3 milionë euro. BQK-ja gjatë vitit të kaluar ka ndërmarrë veprime të nevojshme që të sigurohet kompensimi i plotë i dëmeve ndaj palëve të dëmtuara. Kjo ka përfshirë, por nuk është kufizuar, në rritjen e tarifave si dhe uljen drastike të shpenzimeve për kompanitë e sigurimeve me rregullore nga BQK. Gjithashtu, BQK vazhdon të jetë e vendosur që gjatë këtij viti, të gjitha kompanitë duhet të arrijnë në pajtueshmëri të plotë me kërkesat rregullative”, deklaroi Zëvendësguvernatori Havolli.

Ndër të tjera, ai përmendi se kjo industri ka qenë prioritet në agjendën e Guvernatorit dhe të BQK-së në bashkëpunim me institucionet financiare ndërkombëtare, ku është vendosur që çështja e kapitalizimit të zgjidhet njëherë e përgjithmonë, derisa ky proces i paraparë të përfundoj në qershor u shty për një periudhë jo të gjatë, për shkak të pandemisë.

Ndërsa, kryetari i AKK-së, Valon Prestreshi i cilësoi të jashtëzakonshme veprimet e BQK-së në rregullimin e kësaj industrie.

Të dyja palët shprehën gatishmërinë që të vazhdojnë bashkëpunimin edhe më tutje.