Instituti Hidrometorologjik i Kosovës sonte informoi se gjatë pesë ditëve të ardhshme në vendin tonë do të mbajë mot kryesisht i vranët dhe i butë.

Sipas parashikimeve, kjo situatë e krijuar meteorologjike do të vijojë të mbetet prezente mbi vendin tonë. Ndërsa, vranësirat e krijuara gjatë vikendit do të vazhdojnë të mbeten jostabile, duke krijuar kushte për reshje shiu në viset e ulëta, ndërsa në viset malore reshje sqote.

“Në mëngjes Viti i ri parashihet të vije me mot stabil, pa borë në viset mesatare, por vende-vende mund të ketë riga lokale shiu, por temperaturat do të jenë dukshëm mbi vlerat e mesatareve. Temperaturat minimale gjatë kësaj periudhe pesë ditore do të lëvizin ndërmjet -1 apo 0 deri 4 gradë Celsius, ndërsa maksimalet e ditës parashihen të lëvizin ndërmjet 4-11 gradë Celsius. Reshjet e fundit që ranë mbi territorin tonë kanë zbutur sado pak mungesën e ujit në liqenet tona artificiale.”, informoi IHMK.

Sipas parashikimeve, reshje pritet të ketë edhe në ditët vijuese të janarit. “Do të fryjë erë kryesisht nga jugperëndimi me shpejtësi 1-12m/s.”, bëri të ditur instituti./21Media