Parat false “vërshojnë” tregun e Kosovës

Qindra mijëra euro para false dyshohet të jenë në duar të kosovarëve. Paraja false në të cilën haset më së shpeshti është kartëmonedha 100 euro, 50 euro dhe monedha metalike 2 euro. Thuhet se këto monedha false shiten edhe në rrjetin social “TikTok”.

Pronar i një kafiterie në Prishtinë, thotë se parat false po qarkullojnë nga dora në dorë.

“Ne i pranojmë dhe i lshojmë, kthejmë kusurin me to nuk kemi çka me i bo, në shumicën e rasteve klientat i lajnë paret në tavolinë edhe shkojnë, na skemi çka me i ba, problemin ma t’madh e kemi me furnitorët se ata nuk po i pranojnë paret metalike për shkak se spo munden me i deponu aty po e kemi telashin ma t’madh mirëpo me ketë çështje duhet me u marre dikush tjetër është urgjencë”, ka thënë për RTV21, Osman Mexhuani, pronar i një kafiterie.

Ndërmarrja publike “Prishtina Parking” e ka bërë zgjidhjen e problemit duke vendosur detektor për verifikimin e origjinalitetit të parave. Kryeshefi i kësaj ndërmarrjeje, Sokol Havolli, thotë se këto pajisje për detektim i ka pranuar në formë të donacionit dhe se sipas tij, me këto pajisje kanë arritur që t’i shpëtojnë rreth 40 mijë euro në vit.

“Ne këto pajisje i kemi marrë në formë donacioni që i bjen se nuk kemi shpenzu kurgjo, mirëpo çdo ditë janë deponu 100 deri 120 euro monedha metalike false që për një vit i bie deri në 40 mijë euro, dhe se përpos dëmit financiar dëme ka edhe në aspekte të tjera sepse kur një punonjës i deponon ato para në bankë, banka i detekton që janë false dhe automatikisht procedohet penalisht gjë që len pasoja në të ardhmen…”, ka thënë Sokol Havolli pë RTV21.

Ndërkaq drejtoria për hetime të krimeve ekonomike dhe korrupsionit, thotë se janë duke u angazhuar maksimalisht për heqjen e parave false dhe se në bashkëpunim me Interpolin, janë sekuestruar mbi 60 mijë euro fals.

Policia e Kosovës i ka bërë thirrje qytetarëve që nëse hasin në para false ta raportojnë rastin./21Media

Back to top button