Partitë shqiptare mes përqarjes dhe bashkimit

Sipas Kadriut, diçka po zihet edhe në takimet ndërmjet Ali Ahmetit me Menduh Thaçit

Në iftarin e shtruar të mërkurën mbrëmë nga kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi ku ishin të ftuar të gjithë deputetët e partive politike, nuk ishin prezent pesë deputetët e Rilindjes me Besë. Kryetari Bilall Kasami, thotë se ajo nuk mund të quhet iftar, por darkë.

“Dje ka pasur darkë në Parlament, unë kam qenë në iftar me banorët e Likovës, por i lus ata që mos t’i keqpërdorin ndjenjat e besimtarëve. Iftar organizohet për ata që agjërojnë. Por, të VMRO-së nuk agjërojnë, ju lutem! Iftar shtrohet për ata që agjërojnë Ramazan”, tha Bilall Kasami, Kryetar i Lëvizjes Besa.

Deputetët e Rilindjes me Besë dhe të VMRO-DPMNE-së ishin ata që nuk e votuan për kryetar Talat Xhaferin. Nga VMRO-DPMNE-së në iftar ka marrë pjesë deputeti Ilija Dimovski. Kurse, deputeti i Rilindjes me Besë thotë se kanë pasur iftar me qytetarët dhe obligime familjare.

Por, profesori Osman Kadriu thotë se këto janë disa sinjale të përçarjeve e bashkimeve të partive politike shqiptare. Sipas Kadriut, diçka po zihet edhe në takimet, pas iftareve, ndërmjet kreut të BDI-së Ali Ahmetit me atij të PDSH-së Menduh Thaçit.

“Ekziston një lloj prapavije, për të cilën dyshohet se vallë mos përgatitet ndonjë koalicionim i ri për zgjedhjet lokale. Atëherë në këto raste nuk do të ketë unitet, nuk do të ketë bashkim në qeverisje. Do të vërehet një përçarje e thelluar në vet bllokun shqiptar ndërmjet partive politike shqiptare”, u shpreh Profesori Osman Kadriu.

Ditë më parë Kryetari i Aleancës së Shqiptarëve, tha se takimet mes Ahmetit dhe Thaçit njollosë deklaratën e përbashkët të partive politike shqiptare.

“Mirë është që bëhen publikisht, se takime të tilla kanë pasur vazhdimisht edhe në të kaluarën. Unë i kam denoncuar këto gjëra edhe gjatë fushatës, i përgëzoj që i bënë publikisht të paktën. Por, vetëm takim ndërmjet opozitës shqiptare dhe pushtetit shqiptar nuk mund të quhet”, tha Zijadin Sela, Kryetar i Aleancës për Shqiptarët.

Kreu i Lëvizjes për Reforma të PDSH-së, Zijadin Sela tha se në ato takime vetëm për platformën shqiptare nuk mund të diskutohet, pasi që ish-partia e tij, PDSH-ja, nuk ka qenë nënshkruese e platformës./21Media

Back to top button