Partitë të gatshme për zgjedhje të reja

Në kohën kur e gjithë vëmendja është drejtuar nga Gjykata Kushtetuese në pritje të vendimit për dekretin e presidentes Osmani për shpërndarje të Kuvendit, në skenën politike çdo ditë e më shumë po përmenden zgjedhjet e reja parlamentare.
Ndonëse shprehen të gatshëm për një proces të ri zgjedhor, në Lëvizjen Vetëvendosje thonë se ato duhet shmangur. Sipas deputetit, Driton Hyseni rezultati i një palë zgjedhjeve të reja do të ishte i ngjashëm me ato të dhjetorit.
“Jemi të gatshëm sigurisht nëse shterën të gjitha mundësitë por ne do të donin që zgjedhjet të jenë alternativë e fundit ne këtë proces politik do të donim që vendit t’ia shmangim zgjedhjet sepse kjo është kërkesë e qytetarëve. Ata kane nevojë që institucionet të kryjnë punët. Kjo si bën nder askujt në politikë përkundrazi do ishte diçka e padëshiruar qoftë për qytetarët por edhe për ne”, tha Hyseni për RTV21.
Por ndryshe mendojnë partitë opozitare. PDK-ja thotë se pas situatës së krijuar vendi duhet të shkojë në zgjedhje sa më parë. Sipas deputetit, Ferat Shala, beteja e PDK-së në zgjedhjet e ardhshme është kthimi si parti e parë.
“Ne presim që Gjykata Kushtetuese ta coj vendin në zgjedhje sepse është konsumuar çdo afat kushtetues i mazhorancës. PDK është e gatshme për proces zgjedhor. Tash e disa vite jemi parti dytë dhe beteja jonë është që ne të kthehemi parti e parë dhe për këtë po punojmë fuqushëm në strukturat e partisë. Shpresoj dhe besoj se do duhej të kemi një skenë të re politike në vend”, tha Shala.
Edhe AAK-ja shprehet e gatshme për zgjedhje të reja parlamentare kurdo që të mbahen, duke pritur rezultat më të mirë se ai paraprak.
Sipas Besnik Tahirit zgjedhjet e reja janë pasojë e veprimeve të kryeministrit Kurti.
“Zgjedhjet nuk janë produkt i veprimit politik të AAK-së…ne kemi qenë të anashkaluar në këtë temë. Ajo që mund të them me përgjegjësi të plotë kurdo që të vijnë zgjedhjet AAK-ja do ketë rezultat më të mirë. E them me përgjegjësi të plotë po ashtu që Kosovës nuk i duhen zgjedhjet por është kryeneçësia e këtij kryeministri që na ka sjell në ketë situatë që deshu ta marrë edhe pozicionin e presidentit. Kurdo që vijnë zgjedhjet këtu jemi, AAK-ka garon për një rezultat shumë më të mirë”, tha Tahiri.
Në rast të zgjedhjeve të reja Kosova do të përballej me 4 procese zgjedhore brenda një periudhe një vjeçare.
Vetëm vitin e kaluar vendi kaloi në tri procese zgjedhore të cilat i kushtuan buxhetit të shtetit mbi 30 milionë euro./RTV21/21Media