Projekti parashihet të përfundojë në vitin 2021

Projekti parashihet të përfundojë në vitin 2021

Kryeministri në largim Ramush Haradinaj sot priti në takim ambasadorin gjerman në Kosovë, Christian Heldt.

Në takim u diskutua për Parkun e Erës në Bajgorë. Haradinaj tha se tashmë ky projekt i madh ekonomik është një realitet.

Ai bëri të ditur se për jetësimin e projektin këtij projekti të energjisë së ripërtritshme, do të investohen 170 milionë euro. Projektin do ta mbështesin financiarisht BERZH-i, Erste Group Bank dhe agjencia gjermane Euler Hermes.

Ky investim, që shënon edhe partneritetin e Kosovës me Gjermaninë, SHBA-të, Izraelin, Slloveninë dhe Austrinë, jetëson investitorin e parë strategjik dhe është rezultat i punës dinamike dy vjeçare, për të cilin Qeveria e vendit ka punuar pandërprerë për të ofruar gjithë përkrahjen dhe asistencën teknike.

Haradinaj bëri të ditur se SOWI Kosova, do të vendosë 27 turbina të prodhuesit General Electric në rajonin e Bajgorës, me kapacitet të instaluar prej 105 megavatësh, për të prodhuar energji elektrike pa dëme në mjedis. Kjo energji elektrike është më se e nevojshme në vendin tonë, dhe përveç tjerash, me këto kapacitete ne përmbushim caqet për energji të ripërtritshme.

Projekti që parashihet të përfundojë së ndërtuari në vitin 2021, sipas Haradinajt, do të ofrojë qindra vende të reja të punës.

“Parku i Erës në Bajgorë është investimi më i madh i pasluftës në Kosovë dhe dëshmi për investime të tjera që vendi ynë mund t’i bëjë. Sot, po fillon një epokë e re në Kosovë, e investimeve të mëdha dhe etapë në të cilën përgjegjësia ndaj mjedisit dhe komunitetit është parësore”, shkroi kryeministri në largim./21Media