Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka reaguar pas publikimit të aktakuzës ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderit të PDK-së, Kadri Veseli, nga Gjykata Speciale.

Limaj në një shkrim në Facebook u shpreh se kjo që ka ndodhur sot nuk ka të bëjë asgjë më drejtësinë, ashtu që siç thotë ai nuk ka pasur lidhje me drejtësi i gjithë ky proces, që nga dita kur është iniciuar dhe votuar kjo gjykatë. Ai konsideron se është përndjekje politike ndaj luftëtarëve të UÇK-së.

“Ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i ka ikur asnjëherë ballafaqimit me drejtësinë sa herë që kjo i është kërkuar dhe do t’i përgjigjet çdo procesi gjyqësor.

Kjo që ka ndodhur sot nuk ka të bëjë asgjë më drejtësinë, ashtu siç nuk ka pasur lidhje me drejtësi i gjithë ky proces, që nga dita kur është iniciuar dhe votuar kjo gjykatë.

Zyra e Prokurorit Special të Dhomave të Specializuara me deklaratën e sotme të motivuar politikisht shkeli rregulloren dhe ligjin me të cilin funksionon kjo gjykatë dhe kjo është ndërhyrje e drejtpërdrejtë për të prishur përpjekjet për paqe.

Me vet mënyrën se si kjo zyrë e publikoi këtë aktakuzë të pakonfirmuar, tregon qartë se këtu kemi të bëjmë me ndjekje politike ndaj luftëtarëve të UÇK-së.

Dëshmia më e mirë për këtë është deklarata e sotme në kundërshtim të plotë me ligjin.”, ka shkruar ai në Facebook./21Media