Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka reaguar ndaj deklaratave të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq i cili paralajmëroi se nëse nuk arrihet një kompromis me Kosovën përmes bisedimeve të ndërmjetësuara nga BE, atëherë konflikti “i ngrirë” mund të “shkrihet” në të ardhmen duke treguar llojin e konfliktit midis Armenisë dhe Azerbajxhanit.

Hoxhaj, përmes një shkrimi në Twitter, ka thënë se i vetmi kërcënim për stabilitetin dhe paqen rajonale mbeten pasuesit e Millosheviq në qeverinë serbe.

Ai ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare reagim të shpejtë.

“I vetmi kërcënim për stabilitetin dhe paqen rajonale mbeten pasuesit e Millosheviqit në qeverinë serbe dhe aparatin e sigurisë. Komentet e sotme nga Aleksandar Vuçiq kërkojnë një reagim të shpejtë nga bashkësia ndërkombëtare. Rajoni mund të lëvizë përpara vetëm kur Serbia të përballet me gjenocidin që ka kryer në të”, ka shkruar Hoxhaj./21Media