Në komunën e Shtimes sonte u shënua një rast i ri i prekur me Covid-19, gati një muaj nga shërimi i rastit të fundit në këtë komunë. Kryetari i Shtimes, Naim Ismajli thotë se ky rast jep mesazhin e vet se virusi është ende aktiv dhe në shkallë jo të vogël të përhapjes.

“Gati një muaj nga shërimi i rastit të fundit në komunën tonë, sot kemi një rast të ri të prekur me COVID-19 në komunën tonë.

Ky rast sikur edhe shumë raste tjera të të infektuareve me COVID-19 japin mesazhin se virusi është ende aktiv dhe në shkallë jo të vogël të përhapjes. Andaj duke mos dashur t’i japim konotacion panikës sigurisht është shumë e nevojshme të shtojmë kujdesin dhe t’i përmbahemi këshillave që dalin nga IKSHPK dhe eksperteve shëndetësor, t’i shmangemi tubimeve dhe fluksit të madh, të mbajmë distancën sociale, masa tjera dezinfektuese dhe veprime tjera që shmangin mundesinë e prekjes me virusin COVID-19.

Institucionet e komunës sonë janë të përgatitura me të gjitha masat, të punojnë dhe bashkërendojnë aktivitetet e tyre në parandalim të virusit.

Andaj kërkohet nga ju qytetarë të nderuar të respektoni udhëzimet e profesionistëve dhe së bashku me institucionet komunale ta përballojmë dhe parandalojmë zgjerimin e virusit COVID-19.”, ka shkruar Ismajli në Facebook./21Media