Veton Rrecaj, Avokatit mbrojtës, i të dyshuarit me inicialet L.G në skandalin e avullimit të 2 milionë eurove nga Thesari i Shteti, tha se beson në pafajësinë e të dyshuarit.

Sipas tij në gjykimin e sotëm për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit nuk u arritë të argumentohej kërkesa e prokurorisë. Ai shtoi se janë në pritje të vendimit i cili pritet të bëhet i ditur pas orës 13:00, ndërsa uron që të mos mirret masa e paraburgimit.

Seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit për avullimin e dy milion eurove nga Ministria e Financave, është mbajtur me dyer te mbyllura për monitoruesit dhe publikun në gjykatën e Prishtinës.

I dyshuari L.G., zyrtar i Ministrisë së Financave, po dyshohet se transferoi mbi 2 milionë euro përmes katër transaksioneve të ndryshme, në llogari të kompanisë LDA Group Shpk. Kjo kompani gjendet me bazë në Llapushnik, fshat në Komunën e Drenasit. Të dyshuarit L.G. zyrtarisht i është konfirmuar kërkimi i bllokimit të llogarive pasi që dyshohet se një pjesë e parave janë transferuar jashtë vendit. Me urdhër të prokurorit L.G. gjendet në mbajtje, kurse në seancën që po mbahet në gjykatën e Prishtinës i dyshuarit po përballet me kërkesën e prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit. Policia kishte njoftuar zyrtarisht se të martën në mbrëmje më 20 tetor, pas hetimeve të zhvilluara është arritur të arrestohet një i dyshuar derisa dy të tjerë gjenden në arrati. /21Media