Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçi reagoi pas deklaratës së sotme të ministres së drejtësisë, Albulena Haxhiut për nisjen e procedurave për shkarkimin e tij.

Nehat Thaçi për rtv21.tv deklaroi se ministrja e drejtësisë ka zgjedhur njeriun e gabuar për luftë politike.

Ministrja e Drejtësisë sot në një konferencë për media përmendi disa shkelje që janë evidentuar për drejtorin e Shërbimit Korrektues të Kosovës, Nehat Thaçin. Siç theksoi ministrja Haxhiu, kontratat për të cilat kanë kërkuar raport auditimi janë: dhënia në shfrytëzim e pronës së MD-së në Vushtrri, pra bëhet fjalë për dhënien në shfrytëzim të pronës publike të MD-së një kompanie pa i plotësuar kriteret ligjore.

Ndërsa, drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës për këtë rast u shpreh është i pastër dhe i ligjshëm.

“Unë jam profesionist dhe nuk merrem me politikë. Rasti për të cilin paska folur ministrja Haxhiu dhe zëvendësi i saj, është krejtësisht i pastër dhe i ligjshëm. Këtë e dëshmon dosja me dokumente zyrtare e ankandit publik. Për këtë proces , Ministrja ka qen e njoftuar ne mandatin e kaluar dhe e cila ka pajtuar në parim për dhënien me qera të kësaj prone.”, theksoi Thaçi për rtv21.tv

Sipas tij, ky proces i nisur për te mirën e shërbimit korrektues ka rezultuar me përfitime për shërbimin në vlerë prej 500 mijë euro.

“Dje e kam takuar ministren Haxhiu e cila ka shprehur respekt për punën time dhe te arriturat e Shërbimit Korrektues, por ka thënë se është e detyruar që të dërgoj ne komision disiplinor. Kërkoj nga ajo qe këtë lëndë ta dërgoje në prokurori, ndryshe do ta bëjë unë. Po ashtu ftoj të gjithë gazetarët që ta marrin lëndën e ankandit dhe ta publikojnë në tërësi.”, shtoi tutje Thaçi për rtv21.tv

Ndryshe, sot u ndërmorën procedurat e shkarkimit të drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK), Nehat Thaçi. Për këtë të fundit, Ministria e Drejtësisë po pretendon se kanë evidentuar shkelje dhe janë bërë transfere të paligjshme. Ministrja, Albulena Haxhiu sot njoftoi se kanë kërkuar nga Auditori i Brendshëm që të bëjë verifikimin në lidhje me këto dyshime.

“Para disa ditëve ne kemi pranuar në kabinet disa informacione për shkelje brenda Shërbimit Korrektues të Kosovës. Ne jemi informuar se në kuadër të ShKK-së janë lidhur kontrata dhe janë bërë transfere të paligjshme. Pas këtyre informatave ne kemi kërkuar nga Auditori i Brendshëm në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë që të bëjë një verifikim në lidhje me dyshimet në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Kontratat për të cilat kemi kërkuar raport auditimi janë: dhënia në shfrytëzim e pronës së MD-së në Vushtrri, pra bëhet fjalë për dhënien në shfrytëzim të pronës publike të MD-së një kompanie pa i plotësuar kriteret ligjore. Kjo kontratë është nënshkruar nga ish-ministri i Drejtësisë, Selim Selimi dhe drejtori aktual i ShKK-së. Bëhet fjalë për dy hektarë tokë që kanë qenë pronë e MD-së”, deklaroi tutje Haxhiu./21Media