Pas lajmit se u përjashtua një arsimtare për shkak të shamisë, reagon Muharremaj

Arsimtarja e matematikës, Remzie Lezi në komunën e Suharekës është përjashtuar nga puna, për shkak të bartjes së shamisë.
Sipas një dokumenti të publikuar në rrjete sociale, Këshilli Drejtues i Shkollës ka vendosur në mënyrë unanime, që Lezi të përjashtohet nga shkolla.
Lidhur me këtë ka reaguar kryetari i kësaj Komune, Bali Muharremaj përmes një postimi në llogarinë e tij “Facebook”.
Ai ka thënë se Bordi i prindërve nuk është institucion, i cili punëson apo largon një mësimdhënës nga puna duke shtuar se kjo ndodh në organet komunale më një procedurë tash të rregulluar mirë.
“Në qoftë se ndonjë mësimdhënës ka rast disiplinor, atëherë është Komisioni Disiplinor që e trajton rastin dhe i sugjeron drejtorit, respektivisht mua si kryetar për veprimet institucionale. Deri në një rast të tillë, të gjithë mësimdhënësit ushtrojnë detyrat e veta konform procedurës së lartpërmendur”, ka shkruar ai.
Muharremaj ka thënë se nga e hëna do ta trajtojë me prioritet këtë rast, kjo në përputhje me ligjin, me urdhërin administrativ të Ministrisë së arsimit dhe interpretimit të Gjykatës Kushtetuese./21Media

Back to top button