PDK: Qeveria sërish shkel rëndë Kushtetutën dhe uzurpon pushtetin në emër të pandemisë

PDK: Qeveria sërish shkel rëndë Kushtetutën dhe uzurpon pushtetin në emër të pandemisë

Pas masave të reja kundër COVID-19 të ndërmarra nga Qeveria e Kosoës, ka reaguar Partia Demokratike e Kosovës. Ky subject politik po e konsideron so shkele të Kushtetutës.

 “Kujtojmë se Gjykata vendosi njëzëri se vendimi i Qeverisë së shkarkuar, i datës 23 mars 2020, përbënte një shkelje të rëndë të lirive themelore, duke sqaruar se ligjet e posaçme për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, kurrsesi nuk i japin të drejtë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë që të kufizojë të drejtat dhe liritë kushtetuese në gjithë vendin. Menjëherë pas hyrjes në fuqi të aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese, kjo Qeveri në ikje ka marrë në mënyrë arrogante, sërish të njëjtin vendim anti-kushtetues për kufizimin e lirive të qytetarëve, ndërkohë që kjo gjë mund të bëhet vetëm me një ligj të posaçëm të nxjerrë nga Kuvendi i Kosovës.”, thuhet në reagimin e PDK-së.

‘Sipas PDK-së Qeveria po bën shkelje të rëndë të Kushtetutës.

“Derisa qytetarët janë duke respektuar këshillat e profesionistëve shëndetësorë, Qeveria në ikje, e kapluar nga paniku i përkeqësimit të situatës pandemike, pa rreshtur, po vazhdon shkeljet ligjore dhe kushtetuese.Kurrsesi nuk mund të lejohet që kjo Qeveri të manipulojë me luftën kundër koronavirusit për të tejkaluar kompetencat e saj dhe të shpërfillë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese, përmes ripërsëritjes së shkeljes së Kushtetutës. “, thuhet tutje në reagim.

Po ashtu PDK ripërsërit qëndrimin e saj, se kjo qeveri po rrezikon sovranitetin e vendit

“Ajo që e bën akoma më të rëndë situatën, është se ndërkohë që po shkel në mënyrë të njëpasnjëshme Kushtetutën e Kosovës, kjo qeveri njëherësh po kërcënon edhe sovranitetin dhe integritetin territorial të vendit, duke lejuar shtrirjen e juridiksionit shtetëror të Serbisë në veri nëpërmjet miratimit në heshtje të masave emergjente të Beogradit dhe lejimit të futjes dhe veprimit të zyrtarëve shtetëror të këtij shteti në Kosovë. Kjo është një sjellje e papërgjegjshme dhe e paprecedentë, që tregon se kjo Qeveri po përpiqet të nxjerrë nga funksioni Kuvendin e Kosovës dhe t’i përqendrojë të gjitha pushtetet në duart e saj.”, thotë PDK-ja

Sipas partisë më të madhe opozitare masat që duhet të ndërmirren për luftimin dhe përballimin e suksesshëm të pandemisë, duhet të jenë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit

“Vendimi i saponxjerrë nga Qeveria e shkarkuar, përbën një cënim të rëndë të rendit Kushtetutës të Kosovës, prandaj Partia Demokratike e Kosovës e dënon rëndë dhe i bën thirrje institucioneve të tjera të shtetit dhe mbarë opinionit publik që të angazhohen për të mbrojtur sundimin e ligjit dhe për të penguar autoritarizmin në Kosovë.Masat që duhet të ndërmirren për luftimin dhe përballimin e suksesshëm të pandemisë, duhet të jenë në pajtim me ligjet dhe Kushtetutën e vendit. Askush nuk mund ta zhbëjë rendin kushtetues të shtetit tonë e aq më pak ata që për t’i mbuluar dështimet e tyre, në vazhdimësi kanë sjellë vendime të kundër-ligjshme dhe kundër-kushtetuese.”, përfundon reagimi.

Ministria e Shëndetësisë ka marrë vendim që nga 15 prilli të kufizojë lëvizjen e cdo individi në një orë e gjysmë në ditë si masë parandaluese për COVID -19./21Media