Thaçi: Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi

Thaçi: Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka përshëndetur miratimin e rezolutës për Vëllezërit Bytyqi nga Senati Amerikan. Thaçi përmes një postimi në Facebook po ashtu ka shprehur pakënaqësi ndaj vonesave që Serbia po bën për dënimin e fajtorëve.

“E mirëpres miratimin e rezolutës “Bytyqi” nga Senati i SHBA-së, që shpreh pakënaqësi me vonesat që po bën Serbia në dënimin e fajtorëve për vrasjen e vëllezërve Bytyqi nga aparati shtetëror serb në vitin 1999. Kjo mundëson që të shtyhet përpara çështja në instancat më të larta të SHBA-së, por gjithashtu tregon se kur është në pyetje Kosova, SHBA-ja është një, pa dallime partiake. Për ne është inkurajim që të vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të gjitha viktimat e regjimit serb në Kosovë dhe se drejtësia për vëllezërit Bytyqi më në fund do të vihet në vend.”, ka shkruar Thaçi .

Dhoma e Përfaqësuesve, ka miratuar të martën një rezolutë, me të cilën i kërkohet Serbisë që të vërë para drejtësisë vrasësit e tre vëllezërve Bytyqi, shtetas amerikanë, në vitin 1999, ndërsa bën thirrje që përparimi në ndriçimin e këtij rasti të jetë “faktor i rëndësishëm që përcakton zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Serbisë”.

Që nga viti 2006 janë zhvilluar dy procese gjyqësore në lidhje me rastin e vëllezërve Bytyqi ndaj dy ish-policëve serbë, të cilët më pas janë lënë të lirë. Zhvillimi i proceseve është përcjell me shumë reagime të veprimtarëve humanitarë të cilët janë shprehur të pakënaqur me mënyrën e trajtimit të çështje./21Media