Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, sonte do të deklarohet para mediave, nga zyra e tij. Kjo do të jetë paraqitja e parë e Thaçit pas ngritjes së aktakuzës ndaj tij nga Prokuroria e Specializuar në Hagë.

Informacionin për deklarimin e sontëm e ka bërë të ditur presidenti para dy ditëve, kur ka arritur në Tiranë.

“Motra dhe vëllezër, Miq të dashur, Sapo kam zbritur në Aeroportin “Nëna Terezë” në Tiranë, ndërkaq, të dielën në mbrëmje do t’ju drejtohem me një fjalë nga zyra ime. Ju uroj një fundjavë të qetë dhe mbetem me shpresë të plotë se ditët më të mira për Kosovën dhe kombin shqiptar i kemi përpara. Gjithmonë i juaji, deri në fund”, ka shkruar Thaçi të premten në facebook.

Zyra e Prokurorit të Specializuar të mërkurën ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatë Speciale kundër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe liderit të PDK-së, Kadri Veselit dhe disa të tjerëve, emrat e të cilëve nuk janë bërë publik.

Thaçi, Veseli dhe të tjerët akuzohen për disa krime kundër njerëzimit dhe krime lufte, përfshirë vrasje të paligjshme, zhdukje me detyrim të njerëzve, përndjekje dhe tortura. Në aktakuzë pretendohet se Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe të dyshuar të tjerë janë penalisht përgjegjës për afro 100 vrasje të paligjshme./21Media