Pas plagosjes së dy policëve në Skenderaj, reagon Sveçla

Ministër i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar lidhur me plagosjen e dy policëve në Skënderaj, të cilëve u ka uruar shërim të shpejtë.
Në një postim në Facebook Sveçla ka thënë se kjo ngjarje përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës.

“Policët e Republikës së Kosovës në ushtrimin legjitim të detyrave publike duhet të jenë paprekshmërisht të papenguar. Ata janë emri konkret i rendit publik. Nuk mund të kemi edhe Republikë edhe mungesë rendi. Ngjarja e sotme përveçse është e patolerueshme ligjërisht e moralisht përbën po ashtu sulm për rendin e Republikës.I uroj nga zemra shërim të shpejtë dhe të plotë dy policëve të plagosur sot. Do t’i vizitoj nga afër sapo të kthehem nga udhëtimi zyrtar në Bruksel. Mbes i bindur se nuk ka asgjë që mund t’i zmbraps ata dhe kolegët e tyre nga misioni që ia jep detyra e vullneti. Unë, por dhe të gjithë qytetarët presim që organet e drejtësisë të marrin masa, sipas ligjeve në fuqi dhe pa ekuivoke për sulmuesit”, ka shkruar Sveçla në Facebook.
Të shtunën pas mesnatës dy policë janë plagosur në Skënderaj. I përfshirë në rast dyshohet të jetë edhe ish-nënkryetari i Komunës së Skënderaj, Nuredin Lushtaku./21Media
Back to top button