​Ish-kryeshefi i Trepçës: Më shkarkuan në kuadër të fshesës që po bën Qeveria Kurti

​Ish-kryeshefi i Trepçës: Më shkarkuan në kuadër të fshesës që po bën Qeveria Kurti

Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i Drejtorëve në “Trepçë”  shkarkoi sot kryeshefin e kësaj ndërmarrjeje, Basri Ibrahimi.

Ky i fundit tha se u shkarkua pa asnjë paralajmërim dhe vendimin e quan politik nga Qeveria Kurti.

Ibrahimi tha se e ka marrë vesh sot në mesditë që është shkarkuar por që vendimin, sipas tij, ja kanë lënë në sportel dhe nuk e kanë njoftuar apo konsultuar.

Ai thotë se vendimi është arbitrar dhe nuk ka mbështetje ligjore.

“Këto janë vendime politike arbitrare, në kuadër të fshesës që është duke e bërë Qeveria Kurti përmes ministres zonjës Hajdari. Këto janë vendime politike pa asnjë mbështetje ligjore aq më shumë kur ky bord është edhe jo legjitim dhe nga ana tjetër është pa kuorum sepse bordi i Trepçës duhet t’i ketë 9 anëtarë ndërsa këta janë vetëm 4 nuk kanë kuorum të marrin asnjë vendim e lerë më të shkarkojnë kryeshefin”, tha ai.

Ibrahimi deklaroi se kjo tregon që vendimet që i merr Qeveria Kurti nuk pranojnë ankesë.

“Pa asnjë paralajmërim, pa asnjë bashkëbisedim, vetëm e kanë dorëzuar në sportel diku derisa ma solli një zyrtar, isha në zyrën time, ma solli vendimin për shkarkim, një vendim edhe pa formë juridike sepse as nuk ka arsyetim e as këshillë juridike. Sipas kësaj, vendimet që i marrin bordet, qeveria Kurti, janë absolute dhe nuk ka të drejtë as ankese”, tha Ibrahimi.

Ish-kryeshefi i ndërmarrjes “Trepça” pas vendimit për shkarkim, bëri të ditur se do të ndjekë rrugët ligjore, për çka shprehet i bindur që do të dalë fitues.

“Unë do t’i ndjek rrugët ligjore dhe jam absolutisht i bindur që unë do të dalë fitues nga kjo, sepse është vendim puro politik i orkestruar nga zonja Hajdari siç ka bërë me bordet e tjera, aq më shumë edhe me bordin e Trepçës kur e shkarkoi pa asnjë bazë juridike, pa asnjë matje të performancës, por natyrisht është vendim politik nën presionin e zonjës Hajdari, por natyrisht ky bord as nuk ka kuorum çfarëdo vendimi qoftë, aq më shumë për shkarkim e një kryeshefi”, tha ai.

Sipas tij, bordi mbikëqyrës i bënë shkarkimet në bazë të matjes së performancës, por që atij nuk i është bërë një gjë e tillë, meqë siç tha ai, perfomanca e tij është pozitive.

“Këta nuk kanë bërë asnjë matje të përformancës. Këta nuk kanë një muaj që kanë ardhur, ndërsa performanca ime është pozitive sepse jam emëruar diku më 10 qershor të vitit të kaluar, ndërsa në gjashtëmujorin e vitit të kaluar ne kemi pasur ngritje 28 për qind të prodhimit në Stantërg. Ndërsa muaji janar dhe mars, edhe shkurti ka qenë i mirë, por janari dhe marsi kanë qenë muaj shumë pozitiv dhe është prodhim rekord në historinë e pasluftës së Trepçës”, shtoi ai.

Ndryshe, rreth 300 punëtorë të minierës së Trepçës në Stantërg, nga dita e premte kanë ndërprerë punën, në kërkim të pagave.

Ata kanë kërkuar edhe shkarkimin e menaxherit të përgjithshëm, që përbën dy kërkesat e tyre kryesore, të cilat i kanë shtyrë në grevë.