Pas shkarkimit nga pozita e nënkryetares dhe anëtares së LDK-së ka reaguar Vjosa Osmani, duke thënë se është shkarkuar sepse mbajti fjalën.

Përmes një postimi në Facebook, Osmani thotë se në politikë, ndonjëherë duhet ta paguash çmimin e të qenit parimor.

”Unë e kam provuar në lëkurën time më shumë se njëherë. Por, parimësia tregon udhën e vërtetë, edhe kur ajo është e mbushur përplot gjemba. E, unë nuk përtoj t’u rrekem këtyre pengesave për ta bërë të dukshme dritën, edhe nëse kjo nuk kuptohet nga disa mendjeshkurtër që sot votuan për përjashtimin e diferencimin tim. Por është një udhë që unë e kam ndjekur këto 20 vjet e ajo është udha që ta shtron besimi qytetarë dhe asaj nuk e kam ndërmend t’i ndahem kurrë. Në secilën betejë, do të jem me qytetarët, deri në fund”, ka shkruar Osmani.

Tutje, Osmani ka falënderuar 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik.

”I falenderoj 53 anëtarët e Këshillit të Përgjithshëm që nuk u bënë pjesë e këtij diferencimi politik. Ndërsa për diferencuesit e sotëm, shihemi në garën zgjedhore së shpejti. E aty do ta shohim se kush do të fitojë kur të dalim para qytetarëve. Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë”, ka shkruar Osmani në Facebook. /21Media