Kryeparlamentarja Vjosa Osmani, ka pritur në takim të dërguarin Special të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ka biseduar kryesisht për procesin e dialogut i cili pritet të fillojë shumë shpejt.

Osmani ka thënë se Qeveria është i vetmi organ që duhet të përfaqësojë Kosovën në procesin e dialogut.

“Si Kuvend të luajmë rol sa më të fuqishëm mbikëqyrës mbi qeverinë e cila është e vetmja që mund ta përfaqësojë Kosovën në ketë proces, në përputhje me Kushtetutën e vendit dhe vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Potencova sërish që presim që të jetë dialog mes dy palësh të barabarta dhe se ka kuptim vetëm nëse përfundon me njohje të ndërsjellë”, tha Osmani.

Ajo tha se Kuvendi ka miratuar një serë rezolutash që presin të respektohen nga Qeveria e Kosovës, e të cilat garantojnë se nuk do të ketë negociim për territorin e as për sovranitetin e vendit.

“Përcaktojnë qartë që nuk ka negociim për territorin e Kosovës, nuk ka negociim për sovranitetin e vendit dhe nuk ka negociim të rendit tonë të brendshëm kushtetues. Këto duhet të jenë tre parimet udhëheqëse mbi të cilat duhet procesi i dialogut, përndryshe do të prodhonte një rezultat i cili do të ishte i painplemëntueshëm në teren”, tha Osmani.

Ndërsa Lajcak tha se takimi me kryeparlamentaren ishte mjaft konstruktiv dhe se u dakorduan që ky proces të jetë transparent dhe të ngërthej pjesëmarrjen dhe mbështetjen më të gjerë të mundshme të partive politike dhe shoqërisë.

“E njoftova zonjën kryetare për planet tona, rreth programit tone, për metodologjinë për mënyrën se si duam të vazhdojmë në shtyrjen e këtij dialogu në një përfundim të suksesshëm pa vonesë, dhe gjithashtu theksova rëndësinë e mbështetjes sa më të gjerë të mundshme të shoqërisë për këtë dialog dhe natyrisht këtu roli i parlamentit është i pazëvendësueshëm, kështu që ne të dy ramë dakord për faktin se ky proces do të jetë transparent dhe duhet të ngërthej pjesëmarrjen dhe mbështetjen më të gjerë të mundshme të partive politike dhe shoqërisë”, tha ai.