E akuzon Kurtin për mashtrim

E akuzon Kurtin për mashtrim

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj ka reaguar pas vendimit të Qeverisë për heqjen e tarifës për produktet serbe dhe boshnjake dhe vendosjen e masës së reciprocitetit. Haradinaj e akuzoi Kurtin se po e mashtron popullin me reciprocitet, e që sipas tij nuk ka.

“Vendimi i Qeverisë i datës 21 nëntor 2018 vendosë taksën 100% në pikën 1, dhe poashtu vendosë masat e reciprocitetit ndaj Serbisë në pikat 3, 4, 5, dhe 6 – të cilat sonte Kurti po mundohet t’ia shet popullit si “shpikje politike” e tij. Në fakt, vendimi i sontëm i Qeverisë në largim është heqje e taksës 100% dhe mbajtje e masave të reciprocitetit që i vendosëm ne dikur, por assesi nuk është reciprociteti i plotë politik, ekonomik e tregtar që e premtoi Kurti dhe e votoi dikur Kuvendi me rezolutë!

Me këtë mashtrim, Kurti ia humbi përfundimisht Kosovës kapitalin politik të krijuar me taksën 100%, i cili ishte dizajnuar të përdoret në këmbim të marrëveshjes përfundimtare për njohje reciproke në kufijtë ekzistues mes Kosovës dhe Serbisë.”, shkroi ai në Facebook.

Në mbledhjen e sotme Qeveria ka miratuar vendimin për zbatimin gradual të reciprocitetit si parim në marrëdhëniet me Serbinë. Ky vendim do të mbetet në fuqi deri më 15 qershor./21Media