Pas vrasjes së 63 vjeçares reagon RrGK: Gratë po jetojnë në ambiente kërcënuese në Kosovë!

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar në lidhje me vrasjen e sotme të një gruaje 63 vjeçare nga bashkëshorti 70 vjeçar.
Sipas RrGK kjo vrasje vetëm se shpërfaq dhe thekson pasojat e rrënjosura të normave patriarkale dhe kulturore në kuadër të të cilave gratë vriten vetëm pse janë gra!
‘Gratë po jetojnë në ambiente kërcënuese në Kosovë! Masat rehabilituese për abuzues ende nuk ekzistojnë dhe viktimat e dhunës me bazë gjinore vazhdojnë të mbesin pa rrugëdalje nga dhuna e përsëritur. Njëherit, punësimi i grave dhe trashëgimi i pronës mbesin ndër më të ulëtat në Ballkan dhe kjo i mban gratë të lidhura në ambiente abuzuese. Vlerësimet e rrezikshmërisë nga ana e zyrtarëve policorë janë të dobëta dhe pasojnë me raste recidiviste. Dënimet nga gjykatat vazhdojnë të jenë të ulëta dhe absurde duke rikthyer në gjykim personat përgjegjës për vrasje brutale të grave dhe duke u dhënë të njëjtëve rrethana lehtësuese përgjatë procedurës penale. “, thuhet në ragim
Më tej RrGK thotë se vrasja e grave vjen si pasojë e dështimit institucional, social e kolektiv, në trajtimin e dhunës me bazë gjinore si çështje parësore, në kuadër të sundimit të ligjit dhe qasjes në drejtësi.
“Neni 173 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës, qartazi e ka të caktuar dënimin për Vrasjen e Rëndë, ku thuhet se personi që shkakton vrasjen e anëtarit të familjes apo të fëmijës, dënohet me burgim të përjetshëm. Andaj, RrGK kërkon që të shqiptohet masa ndëshkuese maksimale dhe të mos merren në konsideratë si masa lehtësuese dorëzimi i tij në polici dhe mosha e dhunuesit, siç është praktikë të konsiderohen këto të fundit nga gjykatat. RrGK, si rrjet i 190 organizatave të ndryshme për të drejtat të grave në gjithë Kosovën, do të monitorojë reagimin institucional ndaj këtij rasti dhe ndaj të gjitha rasteve të dhunës me bazë gjinore. “, thuhet në reagim.
Dyshohet se 63 vjeçarja u vra mëngjesin e sotëm me sëpatë nga bashkëshorti i saj.
“Aktualisht, nga hetimet fillestare nuk dihet motivi i kryerjes së këtij akti, derisa Prokurori i Shtetit, brenda afatit ligjor do të ushtrojë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të dyshuarit, si dhe në koordinim me policinë do të vazhdojë ndërmarrja e veprimeve hetimore për t’i sqaruar në plotëni rrethanat e këtij rasti”, njoftoi Prokuoria Themelore e Prishtinës./21Media
 

Back to top button