Pavarësisht grevave, nuk ndryshon vendimi për mosakreditimin e 75 programe në universitete

Luboteni: Vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë finale

Vendimi i Këshillit Shtetëror të Cilësisë për tërheqjen e akreditimit të programeve valide me staf akademik, për 75 programe të studimit, prej të cilave 40 programe në Institucionet Publike të Arsimit të Lartë, është përfundimtar dhe nuk do të ndryshohet pavarësisht grevave dhe protestave që janë paralajmëruar nga Rektorët e universiteteve publike.

Akreditimi është hequr edhe për 35 programe të Institucioneve Private të Arsimit të Lartë.

Pas këtij vendimi për heqjen e akreditimeve për këto programe ka bërë që Konferenca e Rektorëve të Universiteteve Publike në Kosovë të hyjnë në grevë, duke kërkuar që të akreditohen të gjitha këto programe. Madje, kanë paralajmëruar se nëse nuk akreditohen këto programe do të mbajnë edhe protesta.

Por, të gjitha këto duket se janë të kota, pasi që vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë finale dhe nuk mund të ndryshohen.

Të paktën kështu ka deklaruar Kryetari i Këshillit Shtetëror për Cilësi i Agjencisë Kosovare të Akreditim, Gazmend Luboteni, i cili ka thënë se programeve të cilave u është hequr akreditimi nuk kanë përmbushur kriterin bazë që çdo program duhet të ketë tre doktorë shkence të fushës përkatëse.

“Vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë janë finale, ne kemi vendosur dhe kemi votuar, çdo vendim duhet ta ketë shumicën absolute të votave. Ju e dini që janë 9 anëtarë, do të thotë pa 5 vota nuk mund të kalojë asnjë vendim, duke përfshirë në këtë 5 vota një nga ndërkombëtarët, do të thotë mund të votojnë të gjithë vendorët por një ndërkombëtarë nuk ka votuar në atë grupin prej 6 atëherë vendimi nuk është valid. Kjo është bërë me qëllim që të forcohet vendimi i Këshillit Shtetërorë të Cilësisë, do të thotë ekspertët ndërkombëtarë janë aty nga ShBA-të, nga Anglia, Polonia, ekspertë të fushave të akreditimit. Kështu që vendimet nuk mund të ndryshohen, ne jemi në procesin final të përgatitjes dhe dorëzimit të vendimeve, çdo institucion do të ftohet dhe do t’i dorëzohet vendimi”, ka deklaruar ai.

Luboteni ka thënë se nuk ka arsye për greva e protesta, pasi sipas tij, nëse pretendojnë që ka ndonjë gabim është më mirë që të shfrytëzojnë të drejtën për të bërë ankesa.

Këtë të drejtë mund ta shfrytëzojnë 30 ditë prej momentit kur e marrin vendimin nga Këshilli Shtetëror i Cilësisë.

Konferenca e Rektorëve ka akuzuar këtë Këshill se duke mos akredituar programet në Universitetet Publike po favorizojnë Institucionet private, por këtë e ka mohuar Luboteni, i cili ka thënë se qëllimi i vetëm i tyre është ngritja e cilësisë në arsimin e lartë.

“Natyrisht nuk është e vërtetë për shkak se kriteret e njëjta i kemi zbaruar për të gjitha institucionet e arsimit të lartë, pa marr parasysh a janë publike apo private, natyrisht ka pasur refuzime dhe tërheqje edhe tek ato private. Si mund të jetë një arsyetim i tillë që ne kemi tendencë të mbyllim Universitetet publike kur shumica e anëtarëve të Këshillit pikërisht punojnë në Universitete publike, do të thotë ne po i mbyllim universitetet ku jemi vet”, tha ai.

Luboteni ka deklaruar se ishte pikërisht ndërhyrja e autoriteteve që rezultoi me përjashtimin e AAK-së nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë dhe ka vënë në pikëpyetje anëtarësimin e saj në Asociacionin Evropian për Sigurimin e Cilësisë në Arsimin e Lartë. Prandaj, ai ka bërë thirrje që të ndalen sulmet e tilla dhe të mos bëhet presion mbi ta.

Një kërkesë të tillë që politika të mos ndërhyj në punën e Këshillit Shtetëror të Cilësisë e ka pasur edhe ambasadori i ShBA-së në Kosovë Philip Kosnett, i cili ka thënë se politika nuk ka vend në sektorin e edukimit.

Po ashtu, ai ka thënë se Agjencia e Akreditimit e Kosovës duhet të jetë e pavarur për të siguruar cilësi në edukim.

Edhe shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë, Nataliya Apostolova ka pasur të njëjtën kërkesë, që sipas saj asnjëherë nuk duhet avokuar për ndërhyrje politike në punën e agjencive të pavarura.

Konferenca e Rektorëve ditë më parë ka zhvilluar një takim me kryetarin e Kuvendit të Kosovës Kadri Veselin, ku ky i fundit ka bërë thirrje se nuk do të lejojë që të cenohet autonomia dhe vazhdimësia e universiteteve publike.

“Kuvendi i Kosovës nuk do të lejojë që të cenohet autonomia dhe vazhdimësia e universiteteve publike, as nga ndërhyrjet politike dhe as nga interesat e tjera të ndërlidhura me konkurrencën në arsimin e lartë në Kosovë. Kriter i vetëm i konkurrencës duhet të jetë gara për cilësi reale dhe profilizim universitar, në përputhje me nevojat e ekonomisë së tregut. I siguroj studentët e universiteteve publike se të drejtat e tyre do të mbrohen plotësisht! Ata duhet të vazhdojnë të qetë studimet e tyre. Universitetet publike nuk do të mbyllen. Ato vetëm do të zhvillohen edhe më shumë”, ka shkruar Veseli në profilin e tij në facebook.

Por, vet takimi i Konferencës së Rektorëve me kryetarin e Kuvendit po shihet si një ndërhyrje politike në Këshillin Shtetëror të Cilësisë.

Drejtori ekzekutiv i Qendrës për Arsim në Kosovë, Dukagjin Pupovci, ka thënë se rektorët akuzojnë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për politizim të procesit, e vet ata kërkojnë mbrojtje nga politika.

“Kjo është një lloj ironie, sepse në reagimin e parë të Konferencës së Rektorëve akuzohen anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë për politizim të procesit të akreditimit dhe tani rektorët të cilët thuhet se kërkojnë lirim nga ky lloj politizimi shkojnë tek kryetari i Kuvendit i cili e përfaqëson partinë më të madhe në koalicionin qeverisës dhe kërkojnë në një formë mbrojtje politike prej tij. Sa kam pa unë një lloj mbrojtje politike edhe u është ofruar nga kryetari i Kuvendit në kuptimin që nuk do të lejohet mbyllja e Universiteteve, por vetëm avancimi i tyre. ”, ka deklaruar ai.

Pupovci  ka shtuar se në Kosovë duhet të ndalet praktika që pa pasur staf akademik të kualifikuar të akreditohen programet e studimit. Ai ka thënë se në vend se të mbahen greva e protesta më mirë është që të sigurohet staf nga vendet fqinje dhe të përpiqen që t’i mbajnë programet duke pasur staf të kualifikuar.

Në anën tjetër, Konferenca e Rektorëve ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të shkarkojë anëtarët e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, madje kanë kërkuar edhe shkarkimin e vet ministrit të Arsimit Shyqiri Bytyqi.

Por, këshilltari i Ministrit të Arsimit, Valmir Gashi, ka thënë se si ministri nuk ndërhyjnë në vendimet e Këshillit, pasi janë një institucion i pavarur.

“Ne nuk kemi pse t’i komentojmë vendimet e Këshillit Shtetëror të Cilësisë, për faktin se ata janë një institucion krejtësisht i pavarur që është edhe i votuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës. Të gjitha institucionet e arsimit të lartë të cilat kanë pretendime se janë dëmtuar nga ky proces, nga këto vendime të Këshillit ato e kanë të drejtën e tyre që përmes rrugëve ligjore të ankohen nëse pretendojnë se janë të dëmtuara”, tha ai.

Gashi ka deklaruar se nuk ka arsye që të kërkohet shkarkimi i ministrit të Arsimit, pasi sipas tij, janë duke punuar më mirë se secili ministër i Arsimit që nga pas lufta e këndej. Po ashtu, ai thotë se ministri ka pasur një bashkëpunim shumë të mirë me të gjitha Universitetet publike.

Gjithashtu, Gashi  ka thënë se Konferenca e Rektorëve ka qenë e përfshirë në përzgjedhjen e anëtarëve të Këshillit Shtetërorë, madje edhe në hartimin e udhëzimit për Agjencinë.

Këshilli Shtetëror i Cilësisë në mbledhjen e mbajtur me 15 dhe 16 janar, ka aprovuar për hyrje në proces të vlerësimit 104 programe të studimit, 53 programe në Institucione Publike dhe 51 programe në Institucione Private të Arsimit të Lartë, për trajtim të mëtutjeshëm. Ndërsa, ka refuzuar aprovimin për 107 programe të studimit, 28 programe studimi në Institucione Publike, dhe 79 programe në Institucione Private të Arsimit të Lartë, të cilat kanë dështuar të përmbushin kriteret e përcaktuara me Udhëzimin Administrativ.

Programet valide të akredituara janë gjithsej 185 programe, nga të cilat 124 programe studimi në Institucione Publike të Arsimit të Lartë, dhe 61 programe studimi në Institucione Private të Arsimit të Lartë.

Back to top button