Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Telekomit të Kosovës, Lamih Balaj, ka bërë të ditur se pavarësisht vendimit për t’u futur në greve të gjitha shërbimet do të ofrohen.

Ai përmes telefonit tha se shërbimet nuk do të ndalen për asnjë moment dhe do të ofrohen të gjitha, derisa theksoi se nëse nuk do të arrihet ndonjë marrëveshje, nesër në orën 8:00, do të futen në grevë në gjithë vendin.

“Sonte do të jetë vetëm Prishtina në grevë, nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje edhe nëse Qeveria nuk bënë zgjidhje sonte, nesër në ora 8:00, në mëngjes të gjitha regjionet do të futen në grevë. Por, shërbimet dhe kujdestaritë do të punojnë, sigurisht edhe pikat shitëse, do të jenë me reduktim, por do të punojmë, do të kryhen të gjitha shërbimet”, tha ai.

Ndryshe, sot punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë protestuar sot lidhur me gjendjen e krijuar në këtë ndërmarrje, ku punëtorët ende nuk i kanë marrë pagat e muajit tetor dhe se llogaritë e kësaj ndërmarrje vazhdojnë të jenë të bllokuara për shkak të borxhit ndaj kompanisë Z-Mobile.

Ndërkohë, pasi që nuk kanë marrë një përgjigje konkrete se kur pritet të bëhet zhbllokimi i llogarive të Telekomit, punëtorët e Telekomit kanë hyrë në grevë./kp