Partia Demokratike në Shqipëri i drejtohet SPAK-ut, duke i kërkuar marrjen nën hetim të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ardi Veliu dhe pezullimit të tij nga detyra.

PD e akuzon drejtorin e Policisë së Shtetit Ardi Veliun, si përgjegjës të dhunës së ushtruar nga efektivët ndaj protestuesve të cilët dolën në shesh pas vrasjes se Klodian Rashes nga një efektiv policie, më 8 dhjetor 2020.

PD e padit Ardi Veliun për 5 vepra penale  duke filluar që nga shpërdorimi i detyrës, deri te pengimi i të drejtës për të protestuar dhe manifestuar.

1.Shpërdorim i detyrës

2.Kryerja e veprimeve arbitrare

3.Pengimi në të drejtën për t’u shprehur, grumbullusr dhe manifestuar

4.Dëmtime të tjera me dashje

5.Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, thuhet në njoftim.

“Në protestat paqësore për të kundërshtuar frymën e represionit policor dhe të abuzivizmit qeverisës, është vënë re përdorim i teprues i dhunës policore, përdorimi në mënyrë të çmendur i gazit lotsjellës. Ai është hedhur në sasi shumë të mëdha në Bulevard dhe në zonat rezidenciale me densitet të lartë qytetarësh, që nuk ishin pjesë e protestës” vihet në dukje në padinë penale ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë informon zyra e shtypit e PD-së.

PD kërkon dhe largimin nga detyra të Ardi Veliut.

“Me anë të këtij kallëzimi, marrim përsipër të bëhemi përçues të zërit të atyre qytetarëve të ndershëm të këtij vendi, të cilët besojnë se ligji është një dhe i barabartë për të gjithë dhe që ende kanë shpresën se vetëm zbatimi i Ligjit do ta çojë drejt përsosjes shoqërinë tonë.”/oranews