PDK do të marrë pjesë të hënën në takimin e presidentes Osmani

 
Partia Demokratike e Kosovës ka konfirmuar se do të marrë pjesë në takimin e së hënës të ftuar nga Presidentja Vjosa Osmani për të diskutuar lidhur me opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.
Megjithëse nuk ka treguar nëse PDK pajtohet apo jo me rekomandimet e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për shtyrjen e zgjedhjeve lokale, zëdhënësi i kësaj partie, Faton Abdullahu, ka thënë se e të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do t’i shfaqë në takim.
“PDK nuk i është shmangur asnjëherë takimeve institucionale dhe do të merr pjesë në takimin e të hënës. Të gjitha qëndrimet dhe propozimet e PDK, kryetari Memli Krasniqi do t’i shfaqë në takim”, tha Abdullahu.
Përndryshe, kryetari i PDK, Memli Krasniqi tash e dy javë i ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti për të diskutuar për daljen nga tragjedia e pandemisë por Kurti nuk ka kthyer përgjigje.
Kurse, sot është bërë e ditur se Presidentja Vjosa Osmani ka ftuar për të hënën në një takim konsultativ partitë politike për të diskutuar lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend.
Sipas letrës, drejtuar partive politike, ky takim do të mbahet konkretisht për të diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e zgjedhjeve në situatën epidemiologjike.
“Presidentja e Republikës së Kosovës, Sh.S., Vjosa Osmani- Sadriu ju fton në takim konsultativ për ta diskutuar opinionin profesional dhe rekomandimin e Task Forcës së Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës lidhur me ndikimin e procesit zgjedhor në situatën epidemiologjike në vend. Takimi konsultativ do të mbahet të hënën, më 13 shtator 2021, në ora 16:30, në sallën C301, në ndërtesën e Kuvendit të Republikës së Kosovës. Me të mira, ZPRK”, thuhet në letrën e Presidentes.

Back to top button