PDK e prerë me Kurtin: “Zyrtarizoje ftesën për takim”

Ka pak gjasa të ndodhë një takim i paralajmëruar nga kryeministri Albin Kurti me kryetarin e PDK-së, Bedri Hamza, për vazhdimin e bisedimeve për zgjedhjen e presidentit. Kjo pasi, sipas PDK-së, Kurti nuk ka zyrtarizuar ftesën për takim. Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, tha se Kurti nuk po tregon seriozitet në bisedime.
“Nuk është treguar seriozitet dhe respekt; pra, është abuzuar me bashkëpunimin dhe konstruktivitetin e PDK-së. Ndërsa tani qëndrimi është se duhet të ketë shkresë zyrtare drejtuar PDK-së, përkatësisht kryetarit, dhe më pas PDK-ja do ta trajtojë në organet e saj kërkesën dhe do të dalë me qëndrim. Vazhdim i telenovelave për ta humbur vëmendjen dhe për të krijuar situata të paarsyeshme, por ne e dimë se konsensusi arrihet me 80 vota dhe se të mjaftueshme janë 80 vota.”, tha Tahiri për rtv21
Por në LVV thonë se ftesat zyrtare nuk bëhen vetëm të shkruara në letër. Deputeti i këtij subjekti politik, Enver Dugolli, tha se Kurti edhe me deklarata publike ka kërkuar takim me kreun e PDK-së, Bedri Hamza. Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që kërkesa të formalizohet.
“Deklarimi i zotit Kurti se do t’i konsultojë partitë opozitare për zgjedhjen e presidentit është zyrtar, por edhe do të formalizohet, pse jo, edhe me ftesa zyrtare. Por ftesat zyrtare janë edhe gojore, nuk janë vetëm ato me shkrim. Ne jemi të interesuar që seriozisht të komunikojmë dhe ta zgjidhim këtë çështje. Pritet që të takohen Kurti dhe Hamza, prandaj uroj që, me një komunikim përmbajtësor, të tejkalohet edhe kjo çështje.”, theksoi Dugolli për rtv21
LVV-ja dhe PDK-ja nuk kanë shfaqur qëndrime të përafërta për një marrëveshje politike për çështjen e presidentit. Për PDK-në, Kurti nuk është treguar transparent gjatë bisedimeve. Madje, sipas shefit të deputetëve të PDK-së, Arian Tahiri, Kurti ka tendencë t’i shtrembërojë qëndrimet e PDK-së. Ndërsa në LVV thotë se PDK-ja nuk ka treguar gatishmëri për të propozuar emra për president.
“PDK-ja ka qenë shumë konstruktive, shumë pozitive dhe transparente, si para takimeve, gjatë takimeve, ashtu edhe pas tyre. Pra, ka prezantuar shumë hapur qëndrimet e saj. Ndërsa secila tendencë për ta keqinterpretuar qëndrimin e PDK-së tregon nga pala tjetër se nuk ka qasje serioze dhe nuk është e interesuar që seriozisht t’i ofrojë vendit president dhe t’i shmanget zgjedhjeve. Pra, i shoh si taktika të Kurtit për ta dramatizuar situatën dhe, në anën tjetër, për ta dërguar vendin në zgjedhje.”, thuhet nga PDK.
“Kur janë pyetur edhe në deklarimet e mëhershme se kush është emri që do të na përbashkonte, PDK-ja ka hezituar, duke mos dhënë asnjë emër. Kjo do të thotë se për opinionin publik deklarojnë ndryshe, ndërsa në takime dhe në veprime dallojnë.”, tha deputeti i LVV-së.
Ndonëse Kurti po synon që përmes takimeve me partitë politike të arrijë marrëveshje për një kandidat konsensual, ai nuk e ka ftuar në takim asnjëherë AAK-në, si parti parlamentare shqiptare që ka 6 deputetë në Kuvend. Prandaj, deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, këto veprime të Kurtit i quan lojëra politike.
“Mendoj se zoti Kurti duhet t’i thërrasë të gjithë liderët e partive opozitare në një takim të përbashkët, sepse nuk ka efekt pozitiv nëse thirren veç e veç. Është më kontribuese të ftohen të gjithë së bashku dhe të gjendet zgjidhja. Mendoj se Kurti është duke bërë lojëra.”, tha Bytyqi për rtv21
Të hënën, pas takimit me kryeministrin Kurti, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, paralajmëroi takim me partitë opozitare për çështjen e presidentit. Por për PDK-në dhe AAK-në, një ide e tillë nuk do të sillte rezultate. Madje deputetja e AAK-së, Albana Bytyqi, ia kujtoi Abdixhikut refuzimin që ai i kishte bërë kërkesës që, përmes nënshkrimeve edhe të LDK-së, Ramush Haradinaj të ishte kandidat për president.
“Nuk mendoj se do të sjellë efekt pozitiv. Kur ne i kemi kërkuar Lumir Abdixhikut nënshkrimet për kryetarin Haradinaj për president, nuk kemi marrë përgjigje pozitive, kështu që as ne nuk kemi arsye t’i përgjigjemi ftesës.”
Ndërkohë që përpjekjet për takime vazhdojnë, afatet kushtetuese po rrjedhin. Kanë mbetur më pak se tri javë kur deputetët e Kuvendit duhet ta zgjedhin presidentin e ri, ndryshe vendi shkon automatikisht në zgjedhje të reja./RTV21/21Media