Deputetja e PDK-së Ganimete Musliu këtë të diel me anë të një konference për media e ka quajtur Qeverinë Hoti “Qeveri të lodhtë e kryeministër kukull”.

Musliu e ka akuzuar koalicionin qeverisës se po i kapë institucionet e sigurisë duke thënë se Qeveria është treguar e paaftë në menaxhimin e gjendjes së sigurisë dhe e ka vlerësuar atë shqetësuese.

Ajo ka përmendur grabitjet e vjedhjet e ditëve të fundit, duke shtuar se Kosova po hyn në një cikël të rrezikshëm që çon drejt mbylljes së bizneseve e rrezikim të humbjes së investimeve.

Musliu ka shtuar se Qeveria Hoti po bën përndjekjen e udhëheqësve të institucioneve kryesore të sigurisë, që i ka lënë pa udhëheqës, duke iu referuar largimit të shefit të AKI-së.

“Shkarkimi i zyrtarëve profesionistë nga udhëheqja e institucioneve të pavarura dhe kredibile dhe mungesa e një plani se si të veprohet në situata të caktuara, ka krijuar vakum institucional dhe mungesë autoriteti të Qeverisë” ka thënë ajo Musliu, duke shtuar se i vetmi plan qe LDK-ja ka është vendosja e njerëzve partiakë e joprofesionalë në institucione./21Media