Partia Demokratike e Kosovës do t’i votojë të gjitha marrëveshjet financiare ndërkombëtare në seancën e ardhshme të Kuvendit. Kështu ka bërë të ditur shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Bedri Hamza në një konferencë për media. Ai tha se këtë vendim e kanë marrë pas mbledhjes së Grupit Parlamentar dhe diskutimeve brenda strukturave të partisë.

“PDK-ja është opozitë e Qeverisë, mirëpo kemi deklaruar dhe i qëndrojmë deklarimit se s’jemi opozitë e shtetit dhe interesit të qytetarëve të Kosovës. Kemi diskutuar brenda strukturave, por tani përfunduam edhe mbledhjen e Grupit Parlamentar dhe kemi vendosur të përkrahim dhe votojmë të gjitha marrëveshjet ndërkombëtare financiare që do të jenë në rend dite në Kuvendin e Kosovës. I përkrahim pa kushtëzime”, ka thënë Hamza.

Hamza adresoi kritika ndaj Qeverisë së kaluar dhe aktuales.

“Deri më tash as Qeveria e kaluar, do të thotë ka improvizuar me pagesat. Edhe Qeveria aktuale nuk e ka të qartë se si duhet të veprohet në këtë situatë. Sikurse të ishte përkrah propozimi i PDK-së, situata do të ishte ndryshe”, deklaroi ai./21Media