PDK vlerëson se është shkelur kushtetuta

PDK vlerëson se është shkelur kushtetuta

Partia Demokratike e Kosovës e ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e fundit të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e lëvizjes së qytetarëve.

Grupi parlamentar i PDK-së mbështetur edhe nga deputetë të grupeve tjera parlamentare, dorëzoi në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës kërkesën për interpretim të çështjes së kushtetutshmërisë të vendimeve të Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, vendime me të cilat PDK vlerëson se është shkelur Kushtetuta e Kosovës.

“Çështjen që e kemi ngritur është çështje e përputhshmërisë së vendimeve të ministrit në dorëheqje, Arben Vitia, në lidhje me përputhshmërinë e këtyre vendimeve me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Ne pretendojmë se ka një shkelje të dy neneve kryesore, atë të lirisë së lëvizjes të nenit 35 të Kushtetutës së Kosovës dhe nenit 55, i cili përkufizon qartësisht se këto vendime që kufizojnë liritë e lëvizjes dhe të të drejtave të njeriut, nuk i takojnë Qeverisë. Përpara kësaj, ne kemi pasur një vendim të qartë të Gjykatës Kushtetuese, dhe kryeministri në dorëheqje Albin Kurti ka vazhduar të mos e respektoj atë vendim, por që këto shkelje pastaj t’ia delegoj ministrit të Shëndetësisë dhe ai më pas ka vazhduar me zbatimin e të tjera vendimeve, që ne pretendojmë që janë në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thotë Ismaili.

Mbështetje për të kërkuar interpretim kushtetues, kanë dhënë edhe deputetë të pavarur dhe Grupi parlamentar i Nisma Socialdemokrate

Nga 15 prilli kanë hyrë në fuqi vendimet e reja të Ministrisë së Shëndetësisë për kufizimin e lëvizjes. Sipas vendimeve lejohet qarkullimi i nënshtetasve mbi moshën 16 vjeç vetëm për 1 orë e gjysmë në ditë, sipas orarit të përcaktuar javor në bazë të shifrës së parafundit të numrit të tyre personal. Ndërsa, për shtetasit e huaj i njëjti vendim vlen me numrin e fundit të pasaportës.