Ushtruesi i detyrës së kryetarit të PDK-së, Enver Hoxhaj, ka thënë se kjo parti nuk shantazhohet dhe se nuk do të lejojë që dikush ta marrë peng shtetin e Kosovës.

Hoxhaj ka reaguar përmes një shkrimi në “Facebook” ndaj debateve të fundit mbi pozitën e presidentit të vendit, duke thënë se PDK-ja është e gatshme të ulet dhe të bisedojë me të gjitha partitë politike për tejkalimin e krizës institucionale, por ka bërë të ditur se kjo parti ka propozim për kandidat për president.

“Republika jonë është mbi interesat politike dhe egot personale. Kushdo që kërkon votat e deputetëve të PDK-së në Kuvendin e Kosovës, duhet ta kuptoj njëherë e përgjithmonë, që në atë propozim e ka brenda edhe kandidatin e PDK-së! Barrikadimi pas propozimeve individuale, ende pa filluar një diskutim politik ndërmjet partive parlamentare, është i dëmshëm dhe nuk e ndihmon tejkalimin e krizës por vetëm thellimin e saj”, ka shkruar Hoxhaj.

Pas dorëheqjes së ish-presidentit Hashim Thaçi nga ky post, ushtruese e detyrës së presidentit aktualisht është kryeparlamentarja Vjosa Osmani, e cila ka drejtë ta mbajë këtë post deri në gjashtë muaj./21Media