Partia Demokratike e Kosovës(PDK), mbajti aksion simbolik në 100-ditëshin e Qeverisë Kurti.

Deputetja e PDK-së, Floretë Zejnullahu ka thënë se dështimet e kësaj qeverie janë të mëdha dhe renditen nga prishja e marrëdhënieve me SHBA-të; rrëzimi i qeverisë nga vetë partnerët e koalicionit në fillim të pandemisë; mbyllja me Shqipërinë dhe hapja e nënshtrimi ndaj Serbisë e deri tek një sërë deklaratash të koordinuara kundër UÇK-së.

“Kjo Qeveri dezertoi si pasojë e paaftësisë për të menaxhuar me pandeminë, dhe ekonominë e vendit. Nuk guxoi të merret me temat e ndejshme të vendit sikurse dialogu me Serbinë. Mbi të gjitha, Qeveria Kurti për 100 ditë rrezikoi miqësinë e shenjtë me SHBA-të dhe do të mbetet e fundit që kërcënoi këtë raport historik. Kryeministri Kurti është zyrtari i parë shtetëror që akuzoi rëndë SHBA-të për ndërhyrje në rrëzimin e qeverisë por që për një gjë të tillë nuk u pajtua ministri i jashtëm i tij, Glauk Konjuca”, tha ajo.

Zejnullahu përmendi edhe miratimin e Buxhetit të cilin e vlerësoi si “në mënyrë klandestine në emër të pandemisë”, ndërsa tha se pakoja e ndarë për ekonominë është e pamjaftueshme dhe po rrezikohen seriozisht investimet e qytetarëve dhe bizneset e tyre.

Por sipas PDK-së, kjo qeveri do të mbahet mend edhe për shkeljet e Kushtetutës, cënim të sovranitetit dhe punësimet e militantëve nëpër bordet publike.

“Kjo Qeveri e shkarkuar do të mbahet mend për shumë rekorde të këqija, por rekordi i shkeljeve kushtetuese dhe mos respektimin e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese do të jetë një rekord i zi. Do të mbahet mend se kjo Qeveri dorëzoi sovranitetin në duar të Beogradit, lejoi punëtorët shëndetësorë nga Serbia të futen pa kontroll dhe pranoi 1000 teste duke ndihmuar Serbisë ta përmirësoj imazhin. Kjo Qeveri për 100 ditë do të mbahet mend për borde militantësh, punësime familjare, si dhe për dhënien e tenderëve të afërmve dhe bashkëpunëtorëve të tyre”, tha ajo.

Sipas PDK-së qeveria Kurti dështoi edhe në menaxhimin e situatës në kohë pandemie, ku sipas kësaj partie kjo Qeveri krijoi karantinën të cilën e keqmenaxhoi përmes lidhjeve politike, familjare dhe partiake, duke falsifikuar edhe moshën e njerëzve për të mos u karantinuar.

“Kjo Qeveri krijoi karantinën të cilën e keqmenaxhoj përmes lidhjeve politike, familiare dhe partiake, duke falsifikuar edhe moshën e njerëzve për të mos u karantinuar. Sot, për pasojë, sikur të kishim teste të mjaftueshme dhe në kohë reale, ndoshta edhe nuk do të kishim humbjen e jetës së Agonit. Kjo qeveri foli edhe kundër UÇK-së, punësoi këshilltar nga komuniteti serb që e mbështesin Ratko Mlladiqin, e hapi kufirin me Serbinë por e mbylli atë me Shqipërinë”, tha ajo.

Prandaj, sipas PDK-së, secila ditë e kësaj Qeverie në ikje, është një ditë më pak shprese për qytetarët e vendit tonë.