I quan 'skandaloze' deklaratat e Gashit

I quan ‘skandaloze’ deklaratat e Gashit

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i konsideron skandaloze deklaratat e Shkelzen Gashit, këshilltarit të Kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, se UÇK-ja ka kryer krime dhe vrasje të civilëve gjatë luftës në Kosovë. Në reagimin e tyre, PDK-ja vlerëson se Gashi duhet të dënohet për këto deklarata.

“Pikërisht në ditën kur Albin Kurti promovoi Shkelzen Gashin, duke i dhënë mbështetje në konferencë të përbashkët për media, Gashi deklaroi se UÇK ka kryer krime. Qëndrimet e Gashit shpërfaqin mendësinë e turpshme antishqiptare e antikombëtare të shefit të tij dhe subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje, se kushdo që ka luftuar për liri dhe që ka bartur emblemën e UÇK-së në krah është vrasës, kriminel dhe duhet të dënohet.”, thuhet në reagim.

Sipas PDK-së, “u dëshmua se Kryeministri i shkarkuar Kurti dhe të gjithë njerëzit e këshilltarët e tij mendojnë sikurse Dick Marty dhe Serbia – se shqiptarët kanë kryer krime, se UÇK-ja nuk ka luftuar për liri dhe se Kosova duhet të kthehet nën Serbi.”

Në reagimin e tyre, PDK-ja e përmendi edhe pranimin e testeve nga Serbia.

“Kjo deklaratë poshtëruese ndaj UÇK-së e bashkëpunëtorit të Kurtit vjen pas pranimit të turpshëm të 1000 testeve lëmoshë nga Serbia që edhe sot u përmendën në Këshillin e Sigurimit, pasi zëvendësi i tij Haki Abazi shpalli për herë të parë ndarjen e veriut dhe pasi Ministri i tij Vitia dha lejen për hyrjen dhe veprimin në Kosovë të qindëra zyrtarëve shtetërorë të Beogradit.”, thuhet në reagim.

Shkelzen Gashi dje kishte njoftuar se është ftuar nga forcat e rendit pas një postimi në Facebook. Mirëpo Prokuroria e kishte mbyllur këtë rast./21Media