Miratohet në parim Projektligji për zyrtarët publikë

(Lajm i përditësuar)
Me 61 vota për dhe një abstenim është miratuar në parim projektligji për zyrtarët publikë.
Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca ka njoftuar se ky projektligj do të shqyrtohet edhe nga komisionet përkatëse.
“62 deputetë kanë votuar për këtë projektligj, 61 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim. Konstatoj që kaloi projektligji për zyrtarët publik. Kërkojmë nga komisioni funksional dhe komisionet e përhershme që ta shqyrtojnë dhe t’ia paraqesin kuvendit raportin me rekomandime”, ka thënë Konjufca.
Në shqyrtimin e këtij projektligji u tha se qëllimi kryesor i kësaj nisme ligjore është rregullimi i marrëdhënies së punës së zyrtarit publik përmes përcaktimit të rregullave dhe parimeve për statusin e punës.
16:45 – Selmanaj: Projektligji i qeverisë është kundër zyrtarëve publikë

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Driton Selmanaj ka thënë se me projektligjin për zyrtarët publik, të prezantuar nga qeveria, po shtrembërohet baza ligjore.
Në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet për herë të parë ky projektligj, Selmanaj ka thënë se ky projektligj është kundër zyrtarëve publik.
“Neni 9 çka flet, për herë të parë në Kosovë shtohen edhe dy kritere në rekrutim, e cilat janë ato, përshtatshmëria dhe qëndrueshmëria. Përshtatshmëria me çka, me sistemin, me partinë politike, me njerëzit që udhëheqin, ku ka kriter profesional të rekrutimit të një shërbyesi civil kur ti i thua aje i përshtatshëm apo jo, dhe kjo i lihet mbikëqyrësit me vendosë, ministri duhet me vendosë pasi t’i plotëson krejt kriteret profesionale a je i përshtatshëm ti apo jo. A je i qëndrueshëm ti apo jo, por cilat janë kriteret që matin përshtatshmërinë dhe qëndrueshmërinë e dikujt”, ka thënë Selmanaj.
Sipas tij, qasja e qeverisë me këtë projektligj është me e keqe se çdo veprim tjetër që është bërë ndonjëherë ndaj administratës publike në Kosovë.
“Neni 35, ushtruesi i detyrës aktualisht i kemi gjashtë muaj përkundër që vlerësimin tim edhe gjashtë muaj është shumë, nuk duhet me lënë ushtrues detyre gjashtë muaj, me këtë projektligj tash po i mundësojmë ne jo 6 muaj, plus 6 muaj të tjerë mbikëqyrësi, ministri, ka të drejtë ushtruesi ne detyrës të çfarëdo funksioni me vazhdu edhe 6 muaj të tjerë. Po e kthejmë një sistem të cilin nuk e kemi dasht dhe e kemi përmirësuar. Për mendimin tim krejtësisht e papranueshme”, ka shtuar ai.
16:23 – PDK kërkon nga qeveria ta tërheq projektligjin për zyrtarët publikë

Shefi i grupit parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri ka thënë se me projektligjin për zyrtarët publikë, të cilin qeveria e ka dërguar në Kuvend, do të cenohet pavarësia dhe kualiteti i administratës.
Në seancën e Kuvendit ku po shqyrtohet për herë të parë ky projektligj, ai ka kërkuar nga qeveria të tërheq këtë ligj dhe i njëjti të mos kalojë në lexim të parë.
“Në këtë formë që po shkojmë, me këtë ligj që besoj që duhet me tërheq qeveria sepse si opozitë jemi shumë të interesuar me dhënë kontributin tonë ashtu siç e kemi dhënë në të kaluarën, dhe me u ulë edhe njëherë me e pa, me e trajtu, që mos me u dëmtu interesin shtetëror dhe mos me u dëmtu administrata publike”, ka thënë Tahiri.
Ai ka thënë se qëndrimi i PDK-së për këtë projektligj është që i njëjti të tërhiqet nga qeveria, në të kundërtën, Tahiri ka thënë se do të votojnë kundër apo nuk do të marrin pjesë fare në votim.
“Nëse kalon ky ligj në lexim të dytë ne do ta kemi një vërejtje në raportin për vendin dhe duhet me trajtu prap. Unë nuk besoj që i intereson dikujt me miratu një projektligj i cili nuk është në linjë me agjendën evropiane të Kosovës dhe nuk është i koordinuar me Bashkimin Evropian sepse në fund të ditës duhet me e trajtu prap”, ka shtuar ai.

Back to top button