Reagon PDK-ja

Reagon PDK-ja

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministrit Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrit Haki Abazi, për situatën në veri të vendit.

Në një komunikatë për media të PDK-së drejtohen akuza ndaj kryeministrit për siç thotë PDK-ja rëndim të situatës meqë vendi po përballet me pandemi.

“Kryeministri duke folur kudo e kurdo për gjakderdhjen përmes një diskursi të frikshëm që ka përzgjedhur, po e rëndon edhe më shumë situatën në ditët më të vështira e të frikshme të shqiptarëve në përballje me pandeminë. Ai del me paralajmërime për konflikt, pak ditë pas kërcënimit për vëllavrasje nga bashkëpartiaku i tij, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri”, thuhet në një komunikatë për media të PDK-së.

Sipas PDK-së, kryeministri Kurti po përpiqet që t’i frikësojë qytetarët që të heshtin përpara papërgjegjshmërisë e paaftësisë dhe dështimit të tij për t’i ndalë qindra zyrtarë serbë të futur në veri gjatë ditëve të fundit.

“Jo vetëm kaq, ai u dorëzua edhe para vendimit të Serbisë për të vendosur orën policore në katër komunat e veriut si dhe karantinimin nga Beogradi të dy komunave të veriut. Deklarata e kryeministrit të shkarkuar Kurti për situatë nën kontroll në veri të vendit u tradhtua nga zëvendësi i tij, Haki Abazi, i cili e shpalli veriun të ndarë nga Kosova. Kjo është deklarata e parë dhe do të mbetet e vetme e një zyrtari të lartë të Qeverisë së Kosovës që deklaron se veriu është i ndarë”, thuhet më tej në komunikatë.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, duke komentuar reagimet që politizuan situatën e pandemisë në veri të vendit, tha se ka politikanë në Kosovë që duan konflikt për të çuar përpara idenë e shkëmbimit territorial me Serbinë. Kurse zëvendëskryeministri Haki Abazi u shpreh se Thaçi e ka ndarë veriun./21Media