​PDK ngre shqetësime për mosemërimin e anëtarit të dytë në KQZ, akuzon presidenten Osmani për cenim të Kushtetutës

Partia Demokratike e Kosovës shprehu shqetësim lidhur me mosemërimin e anëtarit të dytë të tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ). Kjo parti e konsideron vendimin e presidentes Vjosa Osmani cenim të kushtetutshmërisë, demokracisë dhe të zgjedhjeve në Kosovë.

Sekretari për Anëtarësi dhe Financa i Partisë Demokratike të Kosovës, Betim Gjoshi tha se nga kryetari Bedri Hamza ishte kërkuar që të propozojë kandidatët për anëtarë të KQZ-së.

“Vendimi i fundit i zonjës Osmani për mosemërimin e anëtarit të dytë të Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve është cenim i kushtetutshmërisë, demokracisë dhe i zgjedhjeve në Republikën e Kosovës. Në fund të mandatit të saj, në vend se të linte një shenjë të mirë me postin e të parës së shtetit, Osmani ka vendosur që të mos respektojë Kushtetutën e vendit, por as praktikën e mëhershme institucionale të ndjekur edhe nga vetë ajo. Sikurse kjo të mos mjaftonte, presidentja Osmani në shkresën e datës 9 mars drejtuar kryetarit Bedri Hamza ka kërkuar që të propozojë me shkrim kandidatët për anëtarë të KQZ-së. Pra, jo propozimin e një kandidati siç e ka emëruar tani, por të kandidatëve në shumës”, deklaroi ai.

Në konferencë për media, Gjoshi tha se e para e vendit e ka “përgjegjësi që para qytetarëve të sqarojë se çfarë e shtyu që në momentin e fundit të tërhiqej nga rruga kushtetuese”.

“Refuzimi i Osmanit dhe fshehja pas referimit të çështjes në Gjykatë Kushtetuese kur Kushtetuta është e qartë dhe praktika institucionale e ndjekur nga vetë ajo është tashmë e konsoliduar është dëmtim i qëllimshëm i përfaqësimit të Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, rrjedhimisht dobësim i rolit të opozitës në këtë institucion kyç të administrimit të zgjedhjeve në këtë fazë kritike politike për shtetin tonë. Në procesin e ri të zgjedhjeve të jashtëzakonshme, në të cilën Kosova pritet të hyjë brenda pak ditësh, opozita po përjashtohet nga roli i saj në administrimin dhe garantimin e procesit zgjedhor”, shtoi Gjoshi.

Gjoshi tha se rast i ngjashëm kishte ndodhur edhe në vitin 2021, kur presidentja Osmani ishte përpjekur ta pamundësojë emërimin e anëtarit të dytë të PDK-së në KQZ.

Ai shtoi se PDK-ja do t’i përdorë të gjitha mjetet e ligjshme, siç u shpreh, në kërkim të zbatimit të së drejtës së saj për tu përfaqësuar në KQZ.

“Në vitin e parë të mandatit të saj, Osmani ishte përpjekur për të gjetur ndonjë mundësi që të çojë përpara kërkesën kundërkushtetuese të Lëvizjes Vetëvendosje për emërimin e anëtarit të tretë në KQZ. Por pas refuzimit të trajtimit thelbësor të çështjes nga Gjykata Kushtetuese, ajo nuk kishte guxuar të aprovonte këtë kërkesë, e cila qartazi binte ndesh me frymën dhe shkronjën e Kushtetutës dhe do të përbënte një precedent të rrezikshëm për kapjen politike të institucionit të zgjedhjeve. Në këtë rast, nëse Gjykata Kushtetuese nuk do të kthejë përgjigje ashtu siç bëri në vitin 2021, pas datës 4 prill në postin e të parës së shtetit do të vendoset si ushtruese detyre, Albulena Haxhiu, një person me bagazh të madh antikushtetues edhe antiligjor, e cila sigurisht se është e gatshme në kapitalizimin e shkeljes së radhës së Kushtetutës së Kosovës dhe të vendos në mënyrë arbitrare që PDK-së mos t’i takojë e drejta për përfaqësim në KQZ me dy anëtarë, duke na detyruar kështu që t’i drejtohemi Gjykatës Kushtetuese”, përfundoi ai.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për të sqaruar çështjen e emërimit të anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhor.

Dilema kushtetuese, sipas kabinetit të presidentes Osmani, është pasi e njëjta ka pranuar më shumë propozime nga partitë politike të përfaqësuara në Kuvend sesa parashikohet me Kushtetutë.

Sipas burimeve të KosovaPressit, Lëvizja Vetëvendosje, si partia më e madhe në vend me mbi 51 për qind në zgjedhjet e fundit, ka propozuar tre anëtarë në KQZ. Partia Demokratike e Kosovës, e cila ka dalë e dyta në zgjedhje, ka propozuar dy anëtarë në KQZ, ndërkaq dy partitë e tjera shqiptare, LDK dhe AAK, kanë propozuar nga një anëtar, sikurse edhe partitë nga komunitetet jo shumicë.

Back to top button