Sipas Deliu-Kodrës, Kosova është trajtuar si pjesë e Serbisë

Sipas Deliu-Kodrës, Kosova është trajtuar si pjesë e Serbisë

Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra sot ka thënë se Qeveria në detyrë është dorëzuar para Serbisë dhe ka turpëruar Kosovën duke pranuar 1 mijë teste donacion nga ky vend në vlerë prej 30 mijë euro.

Ajo ka deklaruar se me këto donacione, presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq merr një certifikatë pafajësie nga Kosova që sipas saj, pastron të kaluarën e tij dhe e bënë atë më të pranueshëm në arenën ndërkombëtare.

Deliu-Kodra në një konferencë për medie ka theksuar se PDK dënon rënd këtë sjellje të qeverisë në detyrë dhe i ka bërë thirrje institucioneve shtetërore të angazhohen për ta ndalur këtë zmbrapsje të shtetit tonë dhe këtë avancim të Serbisë në kurriz të Kosovës.

“Ky dorëzim ndaj Serbisë u përshkallëzua më tej kur ministri në ikje i Shëndetësisë, Arben Vitia zgjodhi të bisedojë e bashkëpunojë me ministrin e Serbisë, por jo edhe me atë të Shqipërisë. Kulmi i kësaj sjellje inferiore përkundrejt Serbisë, erdhi me pranimin e 1000 testeve donacion nga ky vend, duke ia mundësuar Serbisë që të dalë në mediat më prestigjioze të botës si faktor konstruktiv humanitar. Për ta bërë këtë çështje edhe më të rëndë, ka dyshime se këto teste janë dhuratë nga Rusia për Serbinë”, ka thënë deputetja Deliu-Kodra.

Sipas deputetes, Kosova është trajtuar si pjesë e Serbisë.

“Por ajo që i vë vulën këtij bashkëpunimi të turpshëm e nënshtrues me Serbinë është futja e testeve si kontrabandë, pa respektuar procedurat ligjore dhe doganore sikur që i nënshtrohen të gjitha donacionet e tjera për Kosovën. Shteti i jonë u trajtua si pjesë e Serbisë. Madje ato u futën thuajse ilegalisht me një makinë me tabela diplomatike nga përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë, Dejan Paviqeviq. Fatkeqësisht, Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi as që ka qenë e informuar dhe në dijeni për këtë rast”, ka shtuar ajo.

Më 17 prill, Kosova ka pranuar 1 mijë teste donacion nga Serbia në kuadër të bashkëpunimit midis shteteve të rajonit lidhur me masat kundër Covid-19.