Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e PDK-së, Bajrush Xhemajli, ka thënë sot në konferencë për media se përpjekja e Telekom Serbisë për blerjen e Operatorit PKO si pjesë e Telekom Sllovenia përbën rrezik të madh dhe cenon rëndë sigurinë kombëtare të shtetit të Kosovës.

Xhemajli tha se është shqetësuese se gjithë këtë ngjarje deri më tani e ka përcjellë heshtja e vazhdueshme e institucioneve të shtetit të Kosovës, duke përfshirë qeverinë e kaluar të Albin Kurtit dhe qeverinë aktuale të Avdullah Hotit.

Deputeti Xhemajli, ka kërkuar që kryeministri të fton urgjentisht mbledhjen e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, për të analizuar e parandaluar qasjen e Serbisë në telekomunikimin e Kosovës, përmes blerjes së operatorit IPKO.