Parlamenti Evropian ka ripublikuar sërish mëngjesin e sotëm deklaratën e përbashkët të një dite më parë të tre eurodeputetëve David McAllister, Isabel Santos dhe Manolis Kefalogiannis, të cilët i bënin  thirrje Parlamentit  shqiptar të miratojë sa më shpejt, pa dëmtuar dakordësinë  e 5 qershorit për reformën zgjedhore, pasi rrezikohen negociatat.

Në deklaratën e publikuar thuhet se çdo vend është i lirë që të bëjë ndryshime në sistemin zgjedhor por kjo duhet bërë në konsensus të plotë me të gjithë faktorët dhe aktorët politikë, si dhe të paktën një vit përpara zgjedhjeve.

Më herët, edhe Komisioni Evropian kërkoi përmes një zëdhënëseje që marrëveshja të mos rrezikohej nga ndryshime të tjera ligjore, duke theksuar rëndësinë e votimit pa ndryshime të draftit të dakordësuar ndërmjet palëve në Këshillin Politik.

Pak ditë më parë i njëjti apel u adresua nga Komisioneri për Zgjerimin Oliver Varhelyi dhe nga nënkryetari i grupit të CDU/CSU-së në parlamentin gjerman, Johann Wadephul.

Shqipëria paraqiti kërkesën për anëtarësim në  vitin 2009 dhe iu dha statusi i kandidatit në vitin 2014. Këshilli vendosi të hapë negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut më 25 mars 2020, pas propozimeve të Komisionit për një metodologji të rishikuar për zgjerimit.

Në qershor të vitit 2020, Komisioni paraqiti draft-projektin për bisedimet që, pasi të finalizohen, do të përdoren për të negociuar anëtarësimet në BE të dy vendeve të Ballkanit. Shtetet Anëtare të BE-së duhet të miratojnë këto dokumente dhe Presidenca e Këshillit do t’i paraqesë ato në fillimin e negociatave të pranimit. Publikimi i raporteve të zgjerimit të Komisionit Evropian për vitin 2020 është shtyrë deri në vjeshtë për shkak të pandemisë COVID-19./oranews