Komuna e Pejës është e vetmja komunë që ende vazhdon të jetë në karantinë, ani pse ditëve të fundit nuk janë shënuar raste të reja me COVID-19.

Nga kjo komunë janë 73 raste me koronavirus, ku dy persona kanë vdekur dhe pesë janë shëruar.

Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Petrit Loci për kp tha se në këtë komunë ka stagnim të përhapjes së rasteve të reja me COVID-19.

Ai tregoi se gjendja e pacientëve që janë nga kjo komunë me COVID-19 është stabile dhe janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre.

“Peja këto ditë është relativisht më e qetë krahasuar me javët e shkuara. Kemi një stagnim të përhapjes së rasteve të reja me COVID-19 fatmirësisht dhe numri total i të prekurve deri më tani është 73, prej të cilëve janë dy të vdekur dhe pesë të shëruar. Ndërsa, pjesa tjetër është duke u trajtuar në vetizolim nëpër shtëpitë e tyre, gjendja e tyre është relativisht e qetë pa simptoma dhe janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre në gjendje stabile”, tha ai.

Ani pse ka stagnim të rasteve të reja, Peja vazhdon të jetë zonë karantinë. Loci thotë se vendimin për ta larguar nga karantina e merr IKSHKP në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Kjo është një punë e Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik i cili nga raportimet dhe të dhënat të cilat i merr nga Komuna e Pejës dhe nga situata në përgjithësi, pra jo vetëm nga numri i të prekurve po në disa fusha, janë një kompleks i masave që analizohen dhe i rekomandohet Ministrisë së Shëndetësisë dhe më pas MSH është ajo që e merr vendimin. Pra, është kompetencë e nivelit qendror, MSH dhe IKShPK, të cilin ne siç e kemi respektuar kur është vendosur do ta respektojmë edhe në momentin që do të largohet”, deklaroi ai.

Sa i përket masave mbrojtëse për personelin shëndetësor, Loci tha se qëndrojnë mirë të furnizuar.

Faktikisht ne kemi një grup punues që nga fillimi i pandemisë në mes Komunës, Spitalit dhe IKSHPK-së dhe jemi munduar që nga fillimi të gjendemi sa i përket pajisjeve, materialeve të cilat na duhen për të funksionuar në kuadër të masave mbrojtëse kundër COVID-19. Gjendjen e kemi momentalisht stabile dhe jemi duke u furnizuar rregullisht nga ana e MSH dhe plotësimet e nevojshme i bëjmë edhe nga mjetet vetanake të buxhetit komunal”, tha Loci.

Kurse, sa i përket lehtësimit të masave, Loci tha se qytetarët e kësaj komune po vazhdojnë t’i respektojnë krerët e lëvizjes dhe se nuk ka tollovi në qytet.

Në Pejë janë 73 raste me COVID-19, ndërsa në nivel vendi numri ka shkuar në 885, ku të shëruar janë 403 persona dhe 26 persona kanë vdekur.