Peja ka shënuar fitore ndaj Vëllaznimit me rezultat 83:67 (15:14, 25:19, 21:13, 22:21), në kuadër të javës së 14-të në Prince Caffe Superligën e Kosovës në basketboll.

Ndeshja në fakt ka filluar e baraspeshuar, ku çereku i parë ka përfunduar 15:14. Por, në periudhën e dytë, më të mirë kanë qenë pejanët që kanë fituar 25:19, duke shkuar në pushim me shifrat 40:33.

Vendasit e kanë nisur më mirë pjesën e dytë, përkatësisht periodën e tretë, duke e fituar 21:13, kurse rezultati në semafor pas 30 minutash ishte 61:46. 10 minutat e fundit kanë qenë të barabartë 22:21 dhe Peja ka triumfuar me rezultat 83:67.

Te Peja janë dalluar Brandon Walter me 26 pikë e 14 kërcime, Robert Cartwright me 21 pikë e 10 asistime dhe Marko Peroviq me 18 pikë e 6 kërcime, kurse te Vëllaznimi, Devonte Jackson me 22 pikë, Cendrik Council me 14 pikë dhe 12 kërcime dhe Christopher Hortman me 17 pikë.

Peja ka nëntë fitore dhe pesë humbje, kurse Vëllaznimi katër fitore dhe 10 humbje.