Lexoni me kujdes këto këshilla

Lexoni me kujdes këto këshilla

Jeni mësuar t’i vendosni shumicën e ushqimeve në frigorifer, t’i mbani ato të freskëta për aq kohë sa është e mundur. Por duket se nuk është gjëja e duhur, sepse jo të gjitha ushqimet mbahen në temperatura të ulëta. Kjo është arsyeja që disa ushqime në frigorifer vetëm zënë hapësirë dhe humbin shijen dhe mikroelementet e duhura.

Perimet

Patatet – Niseshtja e patates shndërrohet në sheqer në temperatura të ulëta, kjo është arsyeja pse patatet e humbin shijen dhe bëhen të ëmbla. Në temperatura të ulëta, uji brenda patates zgjerohet dhe formon kristale që shkatërrojnë strukturën e fibrave. Kjo ndikon që patatja të bëhet e butë dhe jo e mirë për t’u ngrënë.

Hudhra dhe qepa kalben kur nuk ka qarkullim të mjaftueshëm të ajrit dhe lagështi të tepërt.

Karrotat dhe panxharët fillojnë të thahen kur i mbani në frigorifer dhe pastaj ato kalben.

Domatet e mbajtura në frigorifer humbasin të gjithë shijen e tyre dhe bëhen me ujë.

Trangujt bëhen të butë dhe porozë në temperatura më të ulëta. Kopshtarët e dinë që trangujt e duan ngrohtësinë dhe e njëjta vlen edhe për ruajtjen e tyre. Nëse ato mbulohen me njolla të errëta – kjo do të thotë se ato po kalben.

Perimeve u pëlqejnë vendet e thata me qarkullim të mirë të ajrit dhe janë më të freskëta kur i mbani larg nga ekspozimi i dritës. Një kuti prej druri është një vend i shkëlqyeshëm për to. Patatet, domatet dhe specat duhet t’i mbani ndaras nga njëra-tjetra, sepse ato prodhojnë në mënyrë aktive gazin e etilenit që shpejton pjekjen e frutave dhe perimeve të tjera rreth tyre.

Për qepë dhe hudhër, ekzistojnë metoda të tjera – varni ato në një rrjetë ose në çorape ashtu si bëjnë gjyshet tuaja, transmeton rtv21.tv

Frutat

Bananet – Pjeken në temperaturë 15 gradë celsius, kështu që nëse i keni blerë ato kur ende ishin jeshile, mos i mbani në frigorifer. Bananet e pjekura nuk duhen mbajtur në frigorifer, sepse në temperatura më të ulëta lëkura e tyre bëhet e errët.

Pjeshka, kivi, kajsia, mango, shega dhe hurma – Nëse këto fruta janë të ngurta, mos i vendosni në frigorifer, sepse nuk pjeken. Ndërsa, frutat e buta sikurse hurma do të bëhen të lëngshme.

Agrumet – I ftohti në frigorifer mund t’i shkatërrojë ato, lagështia e lartë do t’i bëjë frutat të kalben. Limonët absorbojnë erë shumë lehtë. Ju mund t’i vendosni në frigorifer për një kohë të shkurtër në mënyrë që të ngadalësoni procesin e pjekjes.

Ju mund t’i vendosni frutat në qese letre: frutat e papjekura do të piqen dhe ato të pjekurat nuk do të prishen. Gjëja më e rëndësishme është të siguroheni që ka qarkullim të mirë të ajrit. Bananet, dardhat, kajsitë, kivi, mangot, pjeshkët dhe kumbullat prodhojnë etilen, kështu që ato duhet t’i lini në vende të ndara./21Media