Pendarovski mund të shkelë Kushtetutën?! Xhaferi me paralajmërime për krizë Kushtetuese-institucionale

 

Nëse Presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski e ndan mandatin për formim të qeverisë, pa u zgjedhur kryetari i ri i Kuvendit, atëherë ky veprim i tij do të ishte antikushtetues, tha Kryesuesi i seancës konstituive, Talat Xhaferi.

“Antikushtetuese është ndarja e mandatit pa pasur Kryetar Parlamenti i cili do të vendosë në funksion afatet e tjera që do të duhet t’i përcjellë parlamenti sepse parlamentit i fillojnë afatet nga momenti kur e merr informatën nga Kryetari i shtetit se është ndarë mandati dhe deputetët nuk mund t’i informojë njeri i paautorizuar”, deklaroi Talat Xhaferi.

Kjo është e përcaktuar në rregullore tha Xhaferi, dhe çdo proces tjetër që mund të iniciohet mund ta vendosë në pikëpyetje gjithë procesin zgjedhor që sapo ka përfunduar, shton ai. Ai paralajmëroi po ashtu se nëse mandati për formim të qeverisë ndahet pa pasur Kryetar Parlamenti, atëherë rrezikohet që institucionet të hyjnë në krizë kushtetuese-institucionale sepse Presidenti nuk ka kë ta informojë.

Talat Xhaferi: “Supozojmë që më 14 (gusht) partitë politike do të dalin me deklaratë se kanë shumicë dhe atë ditë do e ndajë mandatin Presidenti…

TV21- Dhe thuhet të njoftojë kryetarin e Kuvendit…

Talat Xhaferi: “Kë do e informojë Presidenti se e ka ndarë mandatin në kontekst të nenit 110 të Rregullores së Kuvendit?! Kryetarin e Parlamentit i cili nuk ekziston?!”

Krejt këto dilema janë ngritur prej çështjes se kur Parlamenti quhet i konstituuar, me verifikimin e mandateve të deputetëve apo me zgjedhjen e kryeparlamentarit?

Mandati për qeverinë e re nuk mund të ndahet, sepse ende nuk është formuar shumica parlamentare, që do të zgjidhte pasardhësin e Xhaferit si kryekuvendar.

Xhaferi tha se si Kryesues i kuvendit, sipas rregullores, do të vazhdojë të menaxhojë me seancën konstituive deri në momentin e zgjedhjes së një Kryetari të ri të Kuvendit. Situatën e krijuar ai e sheh si pasojë e interpretimeve të ndryshme politike, e jo me baza juridike. Ai shtoi se Gjykata kushtetuese ka hapësirë për punë preventive dhe afat që të deklarohet për këto dilema, raporton TV21./21Media

Back to top button